Sun, Aug 10, 2025

Përplasjet e ashpra në Lindjen e Mesme, Panariti: Izraeli dominon ndaj Iranit, vetëm arma bërthamore e mban në lojë Teheranin

  • PublishedJune 16, 2025

Përplasjet e ashpra në Lindjen e Mesme, Panariti: Izraeli dominon ndaj Iranit, vetëm arma bërthamore e mban në lojë Teheranin

Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka vlerësuar epërsinë e dukshme të Izraelit ndaj Iranit në përplasjen e fundit mes dy vendeve, që ka vijuar prej katër ditësh. I ftuar në emisionin Log në News 24, Panariti u shpreh se sulmet izraelite kanë qenë shumë më të efektshme se ato iraniane, ndërsa theksoi se më shumë se 90% e raketave të lëshuara nga Irani janë neutralizuar nga sistemet mbrojtëse të Izraelit.

“E vetmja armë që e mban ende në lojë Iranin është mundësia për të pasur një armë bërthamore. Nëse pajiset me të, ai do të përbëjë një kërcënim real. Ajo që ka ndodhur këto ditë është një provë se raketat balistike të Iranit janë të tejkaluara nga mbrojtja izraelite,” deklaroi Panariti.

Ai theksoi se, në aspektin teknologjik dhe të efikasitetit ushtarak, Izraeli ka një avantazh të pakrahasueshëm “Izraelitët janë dominues për efektshmëri, saktësi dhe teknologji. Irani ka patur njëfarë avantazhi me përdorimin e dronëve, të cilët kanë shkaktuar disa dëme, por në përgjithësi, mbi 90% e raketave janë neutralizuar pa arritur pranë zonave të banuara.”

Sipas tij, programi bërthamor i Iranit nuk ka më karakter civil dhe përbën një rrezik të madh për stabilitetin rajonal. Ai përfundoi duke thënë se diferenca në teknologji mes dy vendeve është thelbësore dhe për momentin, Teherani nuk ka kapacitet të krahasueshëm me atë të Izraelit.

Panariti: E vetmja armë që e mban në lojë Iranin është armë bërthamore. Nëse pajiset me armë bërthamore është kërcënim. Çka ndodhur deri tani ka vërtetuar, ka qenë një test, raketa balistike, qartazi Izraeli dominon. Për nga eficienca. Izraelitët ishin dominues për efektshmëri, saktësi.

Po flas në një vlerësim tërësor, për teknologjinë e armëve konvencionale. E vetmja avantazh që kanë pasur është sistemi i dronëve. Irani ka pasur teknologji dhe ka krijuar dëme. Por për raketat, sistemet raketore.

Mbi 90% janë neutralizuar pa u afruar qendrave të banuar. Nuk ka dyshim që për nivelin teknologjik dhe sistemin raketor Izraeli është mjaft përpara se Irani. Nga niveli teknologjik nuk ka të krahasuar me Izraelin. Besoj se programi bërthamor i Iranit nuk është për pjesë civile.