Mon, Jun 16, 2025

“Shqipëria e fundit në rajon sipas OECD”, Tabaku: Integrimi europian, një proces formal pa vullnet real nga qeveria

  • PublishedJune 16, 2025

“Shqipëria e fundit në rajon sipas OECD”, Tabaku: Integrimi europian, një proces formal pa vullnet real nga qeveria

Gjatë seancës plenare të së hënës, kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, foli për mungesën e angazhimit të vërtetë të qeverisë në procesin e integrimit europian. Ajo theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian po trajtohet nga qeveria më shumë si një ushtrim formal sesa si një reformë thelbësore që prek jetën e qytetarëve.

“Integrimi nuk mund të jetë thjesht një listë kriteresh apo një proces në letër. Ai duhet të përkthehet në ndryshime reale për qytetarët, në ekonomi më të fortë, drejtësi të pavarur dhe institucione funksionale,” deklaroi Tabaku.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të OECD-së, deputetja demokrate ngriti shqetësimin për performancën ekonomike të vendit. Ajo tha se Shqipëria renditet e fundit në rajon për shumicën e treguesve ekonomikë.

“Të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 37% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë nuk kalon 20% të vendeve të BE-së,” u shpreh Tabaku.

Një tjetër pikë ku Tabaku u ndal në fjalën e saj ishte infrastruktura, ku tha se Shqipëria mbetet pas fqinjëve të saj, pavarësisht propagandës për investime masive.

“Rrugët tona janë më të kushtueshme dhe më pak funksionale. Vendi ende nuk ka një rrjet të plotë që e lidh me fqinjët apo me infrastrukturën europiane,” tha ajo.

Në përmbyllje, Tabaku theksoi se procesi i integrimit europian duhet të jetë një prioritet real për qytetarët shqiptarë, dhe jo një fasadë politike. Ajo i bëri thirrje Kuvendit të trajtojë me seriozitet raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e standardeve, duke vënë theksin te nevoja për zgjedhje të lira dhe të ndershme si një nga kushtet thelbësore për avancimin në rrugën drejt BE-së.

Jorida Tabaku: Sa vullnet dhe dëshirë ka mazhoranca për të zhvilluar diskutime në parlament dhe për të çuar përpara reformat, kjo duket qartë në sallat bosh, në mungesën e pjesëmarrjes në komisione dhe në varfërinë e agjendës parlamentare – një agjendë që sot nuk arrin dot të mbledhë katër veta për të diskutuar një ligj.
Mungesa e vullnetit politik nuk është vetëm për ligjet që lidhen me procesin e integrimit, por për çdo reformë që mund të ndryshojë Shqipërinë dhe ta bëjë atë një vend normal e të jetueshëm. Sepse për një vend europian as që bëhet fjalë.
Shumë kolegë me të drejtë ngritën shqetësimin se parlamenti po shkon gjithnjë e më larg realitetit, nëse ne këtu nuk diskutojmë çështje që lidhen me aktualitetin politik. Nëse nuk diskutojmë për zgjedhjet, për raportin e Parlamentit Europian, për standardet e munguara të Bashkimit Europian.

Raporti i fundit i OECD-së e vendos Shqipërinë të fundit në rajon për shumicën e treguesve – që nga infrastruktura, klima e biznesit, treguesit e të ardhurave, e deri te cilësia e shërbimeve publike. Sot, çdo qytetar shqiptar ka të ardhura vetëm 37% të mesatares së Bashkimit Europian. Produkti i brendshëm bruto për frymë është vetëm 20% i vendeve të BE-së.

Dhe ndonëse Shqipëria ka investimet më të larta në infrastrukturë në rajon, është e fundit për sa i përket standardeve, përfundimit të rrjetit kombëtar dhe lidhjes me rrjetin europian. Raporti i OSBE-së vlerëson se Shqipërisë do t’i duhen të paktën 15 vite për të përmbushur standardet minimale të rajonit në ujësjellës-kanalizime, energji dhe infrastrukturë.

E kuptoni sa larg ndodhet Shqipëria nga “pasaporta europiane”? E kuptoni sa prapa jemi në standardet e demokracisë, kur nuk arrijmë dot të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Kur sistemi i prokurimeve publike është jo transparent, jo eficient dhe aspak profesional?

Dhe në këto kushte, kur miratohen ligje që trumbetohen si të parat në rajon, pyesim: A duam një proces integrimi për ndryshime në letër apo për ndryshime për qytetarët? A duam ta përmirësojmë ekonominë apo thjesht të plotësojmë kritere në lista për të mashtruar se kemi bërë progres?

Opozita përpiqet të sjellë ndryshimin pikërisht për këtë arsye. Në çdo platformë dhe mundësi, ne ngremë zërin për standardet e munguara – në zgjedhje, në gjykata, në drejtësi, në prokurime publike, në të drejtat e njeriut.

Shqipëria është e fundit në rajon – kjo nuk është thënë nga opozita, por nga çdo raport ndërkombëtar. Faqen e Shqipërisë nuk e njollos opozita. Faqen e Shqipërisë e njollosin ata që kanë pasur mundësi të ndryshojnë vendin dhe nuk e kanë bërë.
Ata që kanë pasur mundësinë të organizojnë zgjedhje normale dhe nuk i organizuan. Ata që kanë pasur mundësinë të ndalin ikjen e të rinjve dhe të familjeve shqiptare – dhe nuk e ndalën.

Për këtë arsye, ky proces duhet të bëhet për çdo shqiptar. Për çdo familje që sot nuk e sheh dritën e shpresës këtu, por e kërkon jashtë. Nuk e sheh cilësinë e jetës, arsimit dhe shëndetësisë këtu, por në vendet e tjera.

Parlamenti shqiptar ka nevojë të ngrihet përtej ndasive politike dhe të pranojë të vërtetat. Ashtu siç shkruhen në raportet e Parlamentit Europian, ashtu siç shkruhen në çdo raport tjetër ndërkombëtar dhe ashtu siç i përjetojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë.
Për fat të keq, ndër vite, kushdo që ka qenë pjesë e skenës politike ka vënë re standardet e munguara – mungesën e kontrollit dhe balancës së pushteteve, rolin e dobët të parlamentit në kontrollin e qeverisë, në ngritjen e komisioneve hetimore, në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Këto janë të vërteta që i njeh edhe Parlamenti Europian. Për këtë arsye, gjatë kësaj jave në Strasburg, do të diskutojmë për t’i bërë të ndërgjegjshëm të gjithë – europarlamentarët, Komisionin Europian, të gjitha palët e përfshira – se procesi i integrimit nuk mund të jetë thjesht marketing politik. Ai duhet të jetë ndryshim real për qytetarët, një ndryshim që me këtë qeveri nuk ka ardhur dhe nuk do të vijë.

Në emër të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, theksoj edhe njëherë nevojën për t’i parë të vërtetat ashtu siç janë, për të ndërtuar një alternativë dhe një ofertë ndryshe për qytetarët shqiptarë – një ofertë që nuk ka ardhur në tre mandate nga kjo qeverisje, dhe që me siguri nuk do të vijë as tani.
Aty ku qytetarët shqiptarë kishin shpresën, sot ajo nuk duket më – as te kolegët socialistë në sallë dhe as jashtë saj.

Shpresoj që javën e ardhshme të kemi një diskutim serioz për raportin përpara se të mbyllet ky sesion parlamentar dhe që në shtator të nisim me një rezolutë, ku çështja e zgjedhjeve të jetë pika e parë. Jo thjesht denoncimi, por marrja e masave konkrete për të adresuar këtë pengesë madhore për rrugën europiane të Shqipërisë.
Sepse nuk ka pengesë më të madhe për Shqipërinë sesa kjo qeveri. Nuk ka pengesë më të madhe sesa mungesa e vullnetit politik. Ashtu siç nuk erdhi progres në këto 12 vite, harrojeni që do të vijë me këtë qeveri.