Apartamenti në “Kodrën e Diellit” dyshohet se i përket Veliajt, Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e një apartamenti në zonën e “Kodrës së Diellit”, i cili dyshohet se i përket kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Sipas gazetares Klodiana Lala, apartamenti ndodhet pikërisht mbi banesën ku jeton çifti Veliaj-Xoxa dhe është i regjistruar në emër të kompanisë AgiKons, në pronësi të biznesmenit Gentian Sulaj. Ky i fundit është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe është pjesë e të njëjtit hetim ku përfshihet edhe Veliaj.
Kompania AgiKons kishte kundërshtuar vendimin e sekuestrimit, duke kërkuar kthimin e apartamentit me pretendimin se është pronë e saj. Megjithatë, SPAK këmbëngul se disponon prova dhe dyshime të arsyeshme që e lidhin apartamentin me kryetarin e bashkisë përmes një posedimi të tërthortë.
Pritet që për këtë vendim avokatët të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.