Tue, Jun 17, 2025

“I trembëdhjeti” i pensionistëve

  • PublishedJune 17, 2025

“I trembëdhjeti” i pensionistëve

FATOS ÇOÇOLI

Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Moshimin 2025–2030. Ky dokument jep një busull orientuese drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të moshuarit tanë.

Tek ne sot rreth 700 mijë qytetarë, ose një në çdo tre prej nesh që jeton në Shqipëri, është në moshën mbi 65 vjeç. Pas Maltës, Italisë dhe Spanjës, jemi vendi i katërt në Evropë që po plaket më shpejt. Largimi nga vendi me ritme të shpejta, sidomos nga të rinjtë, përveçse ka ndryshuar strukturën demografike, ka shkaktuar shtimin e numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm ose në varfëri.

Kjo gjendje, e ndërlidhur me kushte të vështira shëndetësore dhe infrastrukturë të dobët shoqërore, i ka izoluar ata. Duke u penguar ndjeshëm pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri. Të tillë të moshuar janë me dhjetëra mijëra. Strategjia kërkon që sidomos këtyre të moshuarve, t’u jepen më shumë mundësi të jetojnë më gjatë, më të shëndetshëm dhe me më shumë pjesëmarrje në jetën tonë shoqërore. E kemi domosdoshmëri të forcojmë sistemin e pensioneve, të nxisim forma të reja mbështetjeje financiare, duke ndërtuar një rrjet më të gjerë mbrojtjeje sociale për të moshuarit në nevojë.

Ata janë shumë, ndoshta më shumë se 300 mijë ndër 721 mijë pensionistët që kemi. Kemi nevojë po ashtu, madje sërish e kemi domosdoshmëri, që të realizojmë përfshirjen aktive të të moshuarve në jetën e komuniteteve tona. Në jetën e qyteteve dhe fshatrave tona. Sidomos për të moshuarit më në nevojë. Kjo përfshin nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në organizata vullnetare, në aktivitete kulturore, sociale dhe edukative, si dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në strukturat vendimmarrëse lokale. Vetëm kështu mund të luftojmë fort izolimin e tyre shoqëror në rritje dhe të forcojmë në shpirtin e tyre ndjenjën që i përkasin një shoqërie që kujdeset për ta dhe nuk i ka braktisur.

Që këta persona, me qindra mijëra, ende kanë vlerë të madhe në shoqëri. Që nuk janë thjesht numra apo barrë për shoqërinë tonë. Prandaj me shumë të drejtë, Strategjia thekson që 100 për qind e pensionistëve që marrin pensionin social apo minimal, të përjashtohen nga taksa mbi pronën dhe të përfshihen në listën bashkiake të qytetarëve-klientë në nevojë. Propozon po ashtu që të hiqet taksa vjetore për automjetet vetjake të të moshuarve mbi 65 vjeç, si dhe të reduktohen gjobat dhe kamatëvonesat për ta.

Apo që të ulet tatimi mbi pagën për pensionistët që punojnë. Të gjitha këto masa së bashku mund t’u kursejnë pensionistëve në nevojë mbi 8 milionë euro në vit. Ndërsa një “levë Arkimedi” e mirëfilltë financiare për gjendjen e tyre, është parë nga Strategjia e Moshimit 2025-2030 caktimi me ligj (në ligjin e sotëm të Sigurimeve Shoqërore) i pensionit të trembëdhjetë. Të bën përshtypje se socialistët, forca politike në mandatin e saj të katërt, nuk e premtuan pensionin e trembëdhjetë gjatë fushatës zgjedhore në prill dhe fillim të majit 2025. Është vështirë financiarisht ta mbash si premtim.

Kjo, ngaqë nëse bonuset (shpërblimet) periodike mund t’i japësh ose jo, në varësi të vitit të mirë apo jo ekonomik që ke, nëse e vendos në ligj, pensionin e 13-të duhet ta japësh edhe në vite krizash apo vështirësish të mëdha ekonomike. Por kur do të jepet pensioni i trembëdhjetë? Dhe sa kushton ai? Pensioni i trembëdhjetë është një pension mujor shtesë për të 721 mijë pensionistët që sot kemi. Fondi vjetor për të gjitha llojet e pensioneve që japim (janë 80 të tilla) është sot që flasim 1.79 miliardë euro. Që do të thotë se për një muaj Buxheti i Shtetit duhet të shpenzojë 149 milionë euro në pensione. Për dy bonuset, të dhjetorit 2024 dhe të pranverës 2025, qeveria dha më shumë, 162 milionë euro. Pra, shpërndau më shumë se një pension të trembëdhjetë! 13 milionë euro më shumë. Çfarë do të thotë kjo?

Që mundësitë financiare për përcaktimin në ligj të pensionit të trembëdhjetë janë. Ky vit 2025 duket ndoshta viti më i mirë ekonomik i 35 viteve të fundit. Më i miri i 34 viteve të fundit ishte pikërisht viti që kaloi, 2024-a. Me 5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, ose 1.1 miliardë euro më shumë se viti 2023. Këtë vit gjasat janë që të ardhurat nga turizmi të jenë edhe më shumë. Me Kuvendin e ri që do të mblidhet këtë shtator dhe me pritshmëritë pozitive që të ardhurat buxhetore si tetëmujor janar-gusht 2025, do të jenë rekord i ri, qeveria mund të guxojë dhe ta sjellë në Parlament ndryshimin e ligjit të Sigurimeve Shoqërore, për të futur pensionin e trembëdhjetë dhe lehtësitë e mësipërme tatimore për pensionistët në nevojë. A do të guxojë vallë?/Gazeta Panorama