Kundërshtari i Vllaznisë/ Debutues “pa dashje” në Europë dhe luan në një stadium modest, shkodranët janë favoritë ndaj letonezëve
Shorti i turit të parë të Ligës së Konferencës ka qenë mjaft bujar me Vllazninë, pasi goglat kanë vendosur ekipin shkodran përballe një skuadre e cila nuk ka histori në arenën ndërkombëtare.
Vllaznia do të përballet me letonezët e BFC Daugavpils, të cilët në këtë edicion bëjnë debutimin e tyre ndërkombëtar. Skuadra letoneze ka pak histori suksesi në vendin e vet, pasi ka qenë për shumë vite në kategoritë e ulëta, para se të ngjitej në elitë, por pa arritur objektiva ambiciozë.
Edhe kualifikimi në Ligën e Konferencës për herë të parë në histori erdhi “pa dashje”, pasi Daugavpils e mbylli kampionatin në vendin e pestë, me 13 pikë diferencë ndaj Valmierës që ishte e katërta dhe që duhej të shkonte në Europë normalisht. Por përjashtimi i kësaj të fundit për parregullsi financiare nga kampionati letonez, ia hapi rrugën klubit i cili luan ndeshjet e tij në stadiumin modest i cili nuk mban më shumë se 3 mijë spektatorë.