Merkatoja ende premton surpriza, Partizani do të zhvillojë tri takime miqësore
Partizani është vendosur në Ohër nga dita e djeshme. Të kuqtë do të zhvillojnë për dy javë fazën përgatitore, ndërsa në fokus është Europa.
Tri përforcimet e para në merkaton e verës, Skuka, Isgandarli dhe Martinez, po stërviten normalisht me skuadrën. Baruti dhe Zuna, që u rikthyen nga huazimet në Kategorinë e Parë, nuk kanë udhëtuar me skuadrën. Të dy lojtarët mbeten ndërkohë nën kontratë, ndërsa nuk janë në planet e ekipit të parë. Gjatë kësaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë programuar tri takime miqësore.
Të kuqtë kanë mundësinë të luajnë me skuadra që po ashtu do të luajnë fatet e tyre në Europë. Ndeshja e parë do të jetë përballë Ballkanit të Orges Shehit. Kjo sfidë është programuar për datën 20 qershor. Takimi i dytë miqësor do të jetë kundër Rabotnickit, që do të vijë katër ditë më vonë. Gjithçka do të mbyllet përballë një skuadre nga Superiorja. Partizani do të masë forcat me Dinamon e Ilir Dajës, më 28 qershor.
Për shkak edhe të lëvizjeve në merkato, si në hyrje dhe në dalje, trajneri Gega do të provojë formacionin e ri. Merkato nuk është mbyllur te Partizani. Klubi i kuq po punon për elementë të tjerë, që do të përforconin skuadrën. Për shkak edhe të largimit të Taipit, nevoja për afrim shfaqet edhe në repartin e mesfushës.