Tue, Jun 17, 2025

Prof. Dr. Nazim Gruda, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pranohet në Akademinë e Shkencave të Lituanisë

  • PublishedJune 17, 2025

Prof. Dr. Nazim Gruda, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pranohet në Akademinë e Shkencave të Lituanisë

Akademiku dhe studiuesi i njohur shqiptar, Prof. Dr. Nazim Gruda, është pranuar së fundmi si anëtar i Akademisë së Shkencave të Lituanisë. Zgjedhja e tij u bë nga Asambleja e Akademisë Lituaneze të Shkencave më 8 mars 2025.

Më 17 qershor, Prof. Gruda ishte i ftuar të merrte pjesë në mbledhjen solemne të Asamblesë, me rastin e inaugurimit dhe kremtimit të kësaj ngjarje të rëndësishme. Në këtë ceremoni, ai mbajti referatin e shkurtër shkencor “Hortikultura në epokën e ndryshimeve klimatike”, duke ndarë me akademikët lituanezë dhe përfaqësues të institucioneve shkencore evropiane perspektivën e tij për sfidat dhe mundësitë që has bujqësia përballë kushteve ekstreme klimatike. Veç tij u nderuan në këtë kategori Prof. Barbara Elosabeth Lothenbach, profesore e konstruksioneve, kimisë dhe termodinamikës nga Zvicra si edhe Mait Metspalu, profesor i gjenetikes së popullatave humane nga Estonia .

Akademia Lituaneze e Shkencave është një nga institucionet më të respektuara akademike në Evropën Qendrore e Lindore, e përkushtuar ndaj zhvillimit të dijes shkencore dhe nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo ka partneritet të qëndrueshme me 27 akademi dhe qendra kërkimore në vende të ndryshme të botës, duke promovuar inovacionin dhe kërkimin ndërdisiplinor në fusha kyçe si mjedisi, teknologjia, shëndeti publik e ushqimi, por edhe në shkencat teorike. Përzgjedhja në këtë akademi bëhet në bazë të kritereve të rrepta të ekselencës shkencore, duke vlerësua figura që kanë dhënë ndikim të dukshëm në fushat e tyre përkatëse. Emri i Prof. Grudës renditet tashmë krah personaliteteve të shquara të shkencës ndërkombëtare.

Prof. Dr. Nazim Gruda është një nga zërat më të spikatur në fushën e hortikulturës, me një karrierë e kërkim shkencor në Gjermani dhe bashkëpunime të shumta ndërkombëtare. Ai ka qenë ndër të parët që kanë studiua alternativat e torfës si substrat bimor, ndikimin e ndryshimeve klimatike në bujqësi, si dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit të perimeve. Pasioni për shkencën, logjika e thellë dhe përkushtimi profesional, të formuar në një mjedis kërkimi gjerman, ndërthuren tek ai me vlerat shoqërore e njerëzore të familjes dhe ngrohtësinë karakteristike shqiptare. Ky gërshetim i ka mundësuar lëvizjen me elegancë e dinjitet në qarqet akademike evropiane, duke ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi me studiues nga mbarë bota. Këtë rrjet ai ka vënë në shërbim të vendit, duke ndihmuar në thellimin e bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve ndërakademike në fushën e bujqësisë, mjedisit dhe sigurisë ushqimore, një mision që i shërben zhvillimit të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt dijes.