Tue, Jun 17, 2025

Publikimi i tezës së Matematikës, reagon ministria e Arsimit: Procesi nuk cenon integritetin e Maturës Shtetërore

  • PublishedJune 17, 2025

Publikimi i tezës së Matematikës, reagon ministria e Arsimit: Procesi nuk cenon integritetin e Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar sot pas publikimit të tezës së provimit të Matematikës. Në një deklaratë zyrtare, Ministria thekson se publikimi i materialit pas nisjes së testimit nuk cenon procesin e provimit dhe nuk ndikon në integritetin e tij.

Sipas Ministrisë, masat e sigurisë dhe rregullat e përcaktuara janë respektuar në të gjitha qendrat, dhe provimi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të kontrolluar.

“Ne konfirmojmë se provimi i Matematikës po zhvillohet sipas protokolleve të miratuara, ndërkohë që publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk e komprometon procesin dhe nuk krijon asnjë avantazh për pjesëmarrësit,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Reagimi

Ministria e Arsimit dhe Sportit: Provimi i Matematikës sipas standardeve të sigurisë, proces i qetë dhe i rregullt

Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së Matematikës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendra provimi në të gjithë vendin testimi po vijon në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke u dhënë mundësi të 27 mijë maturantëve të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë në lëndën e Matematikës.

Vëmë dhe njëherë theksin se publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.

Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara.

Këto masa garantojnë një proces të besueshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë.