S TOP në Spaç
EDISON YPI
Arritjen gjallë në Spaç dhe ardhjen në vete nga trullosja që të shkaktonin milionat e kthesave të Rock and Rollit mbi shkëmbinjtë e rrugës së ngushtë, ta lajmëronte përplasja e kokës te dërrasat e karrocerisë nga frenimi gozhdë i kamionit para një porte hekuri që të urdhëronte: Zbrit dhe prit, armik!
Zbrita dhe prita.
Kaloi mesdita.
Rretherrotull qetësi e thellë, xhan-xhin.
Nga këtu nuk duket as burg, asgjë.
Porta e hekurt hapet pak, nxjerr kokën për një çast një polic.
Porta hapet pak edhe dy herë të tjera nga dy sekonda. Nuk kuptohet nëse është i njëjti polic dhe pse u dukem interesant për t’u parë?
Gjatë pritjes me torbë në dorë, njëri tani, tjetri pas disa minutash, i treti pak më vonë, dalin nga porta tre silueta mbuluar me pluhur minerali. Janë tre zhelanë pisanjosa dhe kryelartë njëkohësisht, që u duken vetëm sytë. Ndryshe nga polici që nxori kokën nga porta për të më parë, këtyre nuk u interesoi. Këta nuk i kthejnë sytë fare nga unë. Këta janë minatorë “të lirë”. Mirditorë të privilegjuar që i kanë bishtnuar ferrit të kooperativës dhe punojnë në purgatorin minierë. Besnikët e betuar të partisë që kanë dijeni mbi humnerën që i ndan me armiq si unë, e njohin distancën që duhet të mbajnë dhe përçmimin që duhet të tregojnë për armiqtë që vijnë të çmallen me të afërmit e tyre, armiq me damkë, që nuk i shpëtuan syrit vigjilent të popullit spiun.
Në të djathtë të portës, e kuqe, e rrumbullakët, e zbërdhylur nga dielli, me bishtin e ngulur shtrembër në tokë, me germa të bardha të mëdha, tabelë që shkruan: s TOP.
Pse u është dukur më e bukur S-ja e rrotulluar?
E kanë bërë qëllimisht, apo pa mendje, Disleksi?
E shkroi dikush vetë, apo e urdhëruan?
E bëri gabimin një propagandist analfabet, pse nuk e ndreqën të tjerët?
Pas nja një ore vjen një kapter më shoqëron brenda burgut të Spaçit pak metra pranë portës te një dhomë ku takoj vëllain.
Eduardi thotë se tjetër herë të mos i sjellim byrek se e llaçkavisin me dalta dhe kaçavida për të parë mos ka ndonjë thikë të fshehur mes petëve, qepëve, domateve.
Dhe shton se nga letra që unë e Hasia i kemi shkruar më 15 dhjetor 1982, ky paragraf:
“Mos na shkruaj letra me vdekje. E kuptojmë vështirësinë e burgut, madje jo vetëm duke e marrë me mend, se fundja kjo vështirësi nuk varet nga madhësia e tij”, është i guximshëm, dhe ju lumtë, por është edhe tepër i rrezikshëm. Ruhuni se, mirë unë, por mos na mbledhin të gjithëve këtu, me nipër e mbesa, me motra e kunetër. Pa dalë nga porta, i hedh një sy të fundit pamjes brenda burgut. Dhomat e edukimit politik ku lexohej “Zëri i Popullit”, librat e Diktatorit, vendet e rrahjes, ambientet e izolimit, kuzhina e lëtyrave, tre rrethimet me tela me gjemba, karakollat që të vrisnin për të marrë 10 ditë leje, “Trahanaja” me 12 vargje e Zydi Moravës që Zydiu e mbylli brenda një tubi çeliku, e saldoi në dyja anët dhe e varrosi në tokë, diku janë, por prej aty nuk duken. Me gjasa janë pas kthesës. Gjithë kjo fshehtësi. S’kishte as celularë aso kohe, që të thuash se do i fotografonte armiku. Ishin aq konspirativë, aq budallenj, aq pa fantazi, sa për t’ia pamundësuar vizitorit ta shihte burgun, s’ështe çudi të mos kishin çvendosur portën, por burgun, diku në një pozicion prej nga të mos dukej prej portës. Të kishe qenë në Spaç, ku kishe takuar vëllanë dhe të mos e kishe parë burgun ku vëllai kaloi vitet më të mira të jetës, ishte një kokolepsje që nuk mund t’ua shpjegoje lehtë ishullarëve në Tiranë, të cilët, me të drejtë, pretendonin shpjegime të hollësishme, transparencë të plotë, shterje të kuriozitetit. Duke u kthyer për nga erdha, përsëri tabela me TOP në vend të STOP, dëshmi e analfabetizmit të barbarëve vrasës përmes germave si hieroglife që nuk shkruhen por pikturohen, tabelën në fjalë sikur e kishte pikturuar me dorën e vet mbreti i surrealizmit, Salvador Dalì. Askush s’ishte kujtuar ta përmbyste edhe një herë -në për ta bërë S. Mund ta çonin ta drejtonin te kovaçi dhe telashet soseshin. Por s’kishin arsye ta ndreqnin. Ishte gabim i rrënjosur aq thellë sa nuk quhej më gabim, por normë. Një tabelë e shtrembër, gjithashtu, nuk mund të dukej e shtrembër sa kohë askush nuk shihte drejt. Herën e dytë që vajta në Spaç, po ajo tabelë, po ajo , po ai bisht i ngulur shtrembër, gjithçka njësoj si herën e parë. Madje, jo vetëm nuk e kishin ndrequr, por dikush me bojë e furçë në dorë ishte kujdesur që çmendurinë ta pavdekësonte. E njëjta gjë edhe herën e tretë, të katërt e të pastë që vajta në Spaç.
Deri kur, prej këtij absurdi diktatorial, demokracisë ju sos durimi, tabelën me S TOP me gjithë bisht e vodhi dhe e shiti për skrap./Gazeta Panorama