Shqiptarja kishte denoncuar burrin për dhunë, zbardhen detaje nga vrasja e Gentiana Hudhrës! Vëllai i 45-vjeçares: Askush nuk ndërhyri
Detaje tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen brutale të 45-vjeçares shqiptare, Gentiana Hudhra (Kopili), e cila u qëllua për vdekje me dhjetëra goditje thike në një park publik në Tolentino nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç.
Sipas autoriteteve italiane, autori i krimit ka përdorur një thikë kuzhine me teh 18 cm dhe pas aktit makabër është ulur në një stol pranë trupit të pajetë të viktimës, ku edhe u arrestua në flagrancë nga karabinierët.
Një histori e dhunës së injoruar
Gentiana kishte denoncuar dy herë Nikollaqin në vitin 2021 për dhunë në familje, por prokuroria e Maceratës vendosi të mbyllë hetimet pa ndjekje penale. Çifti ishte martuar që prej vitit 2002 dhe u divorcua në janar të vitit 2022, pas 20 vitesh martesë.
Sipas avokatit të saj, Guglielmo De Luca, ish-burri kishte zhvilluar ide paranojake dhe e akuzonte Gentianën se po e helmonte. “Kishte vendosur zinxhir në frigorifer dhe e detyronte të flinte në një dhomë të vogël, e izoluar,” deklaroi ai.
Vëllai i viktimës, Artur Kopili, që mbërriti nga Shqipëria pas tragjedisë, tha se familja ishte në dijeni të problemeve mes çiftit: “Motra kishte denoncuar, por askush nuk ndërhyri.”
Krimi dhe prapaskenat
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:00. Autori kishte shkuar në vendngjarje me monopatinë elektrike për të shmangur identifikimin, pasi viktima e njihte makinën e tij. Pasi e sulmoi brutalisht, ai nuk tentoi të largohej, por qëndroi pranë trupit derisa u arrestua.
Në dëshminë e tij, Hudhra ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka rrëfyer se kishte tentuar ta vriste ish-bashkëshorten edhe dy herë më parë. Autoritetet po hetojnë për të identifikuar rrethanat dhe motivin e saktë të ngjarjes, ndërsa autopsia do të kryhet nga mjeku ligjor Antonio Tombolini për të përcaktuar numrin e plagëve dhe ato që ishin fatale.
Jetë e ndarë
Çifti jetonte në Itali prej vitesh dhe kishin dy djem, të moshës 21 dhe 23 vjeç. Pas ndarjes, Nikollaqi ishte transferuar në Passignano sul Trasimeno, ku punonte në një fermë. Punëdhënësit e tij kanë pohuar se ai kishte sjellje të çuditshme kohët e fundit, por askush nuk e kishte menduar një fund kaq tragjik.
Hudhra ndodhet aktualisht në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim. Seanca për konfirmimin e arrestit do të zhvillohet në Gjykatën e Maceratës.