Aktori akuzon Tyler Perryn për ngacmim dhe sulm seksual!
Regjisori dhe producenti i njohur amerikan, Tyler Perry, është paditur në një gjykatë në Los Angeles nën akuza të rënda për sjellje seksuale të papërshtatshme dhe abuzim me pushtetin brenda industrisë së filmit dhe televizionit.
Aktori Derek Dixon, i cili ka qenë pjesë e serialeve “The Oval” dhe “Ruthless”, pretendon se Perry ka përdorur pozicionin e tij për të ushtruar presion dhe për të krijuar një “mjedis shtrëngues dhe seksualisht shfrytëzues”. Në padinë prej 260 milionë dollarësh, Dixon përshkruan një sërë incidentesh që, sipas tij, përfshijnë ngacmime, përparime të padëshiruara, si dhe pasojat që ai thotë se ka pësuar pasi i ka refuzuar.
Dixon pohon se është takuar me Perry-n për herë të parë në vitin 2019 gjatë një aktiviteti profesional në ambientet e studios së tij në Atlanta, ku fillimisht u diskutua për mundësi në karrierë. Sipas tij, komunikimi vazhdoi për disa muaj, por më pas situata mori një kthesë shqetësuese.
Përmes avokatit të tij, Tyler Perry ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar pretendimet si “të sajuara dhe të motivuara nga interesa financiare”.