BE kërkon “reforma tërësore” për median në Shqipëri

Lajmet për hapjen e kapitujve të negociatave kanë qenë të shumëreklamuara nga qeveria gjatë muajve të fundit, nën premtimin e integrimit të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por një dokument jozyrtar i sekretariatit të Këshillit të Bashkimit Evropian, institucionit që merr vendime në lidhje me procesin negociues dhe anëtarësues, thekson se vendi ka nevojë për reforma të konsiderueshme në një grumbull çështjes të konsideruara si “themeloret”, ku përfshihen funksionimi i shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar janë tema të rrahura shpesh, por një temë jo aq e rrahur që bën pjesë në çështjet “themelore”, është media, ku dokumenti i parë nga BIRN thekson se nga Shqipëria “pritet reformë tërësore”.
Çështja e medias pritet gjithashtu të marrë rëndësi të veçantë në negociata pas publikimit më vonë këtë vit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e vitit 2025, ku, risia duket se qëndron në konkluzionin e prerë që media në Shqipëri është e njëanshme dhe nën ndikimin e thellë të qeverisë.
“Në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, Shqipëria ende pritet të miratojë një reformë tërësore të kuadrit ligjor dhe rregullator,” thuhet në dokumentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, “në veçanti për fuqizimin e pavarësisë dhe efikasitetit të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe të pavarësisë së transmetuesit publik, të cilat mbeten çështje shqetësuese,” shtohet në dokument.
Reformat e kërkuara nga BE janë të gjithanshme. Fillimisht kërkohen ndryshime ligjore “për të trajtuar shqetësimin e përqendrimit të lartë në tregun e medias”, një çështje për të cilën deri më sot qeveria nuk ka shprehur vullnet politik për ta trajtuar.
Aktualisht në Shqipëri dy televizionet kryesore, Klan dhe Top Channel, kontrollojnë 64% të tregut sipas të ardhurave, ndërsa katër televizionet e mëdha, pra Klan, Top Channel, Media Vizion dhe A2 CNN kontrollojnë 79.1% të tregut. Dokumenti i BE-së nuk hyn në detaje për të shpjeguar se çfarë ndryshimesh konkrete mund të ndërmerren për të ulur shkallën e përqendrimit në media, por kërkon ndryshime “për të përforcuar pavarësinë editoriale”, për të “forcuar transparencën e financimit dhe pronësisë së medias” si dhe “për të vendosur rregulla për ndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore”.
Veçanërisht në pikën e fundit, qeveria aktuale vepron në bazë të disa rregullave të miratuara nga qeveria “Berisha” në vitin 2008, të cilat lejojnë institucionet publike të japin reklama pa pasur nevojë të bëjnë garë apo transparencë se sa reklama dhanë e për çfarë arsyesh i dhanë. Kjo bën që shpesh qytetarët të shohin në televizor materiale që prezantohen si lajme apo si emisione, ndërkohë që në fakt janë propagandë e paguar nga paratë e taksapaguesve.
Një ndryshim tjetër ligjor i kërkuar është “dekriminalizimi i shpifjes”, një masë që normalisht nuk kërkon shumë mund nga ana e qeverisë përveçse nisjen e një procesi për heqjen e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal. Ndonëse dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes është një kërkesë e hershme e Bashkimit Evropian dhe një rekomandim i përsëritur i raporteve për zgjedhjet nga OSBE/ODIHR, qeveria aktuale nuk ka shprehur vullnet politik për ta ndërmarrë këtë ndryshim.
BE kërkon që gjithsesi çdo ndryshim në lidhje me median do të duhet që të kryhet përmes një procesi të gjerë konsultues me aktorët vendës por edhe me Komisionin e Venecias.
“Ekzekutivi duhet të sigurohet për pjesëmarrje të fortë dhe angazhim në proces,” thuhet në raport. “Amendimet ligjore priret të ndahen me Komisionin e Venecias para miratimit”.
Dokumenti informal i Këshillit të Bashkimit Evropian i rrjedhur në media ngriti gjithashtu shqetësimin në lidhje me sulmet e ndërmarra nga qeveria kundër sistemit të drejtësisë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa duket se hedh ujë të ftohtë mbi pritshmëritë për integrim të shpejtë duke theksuar se, pavarësisht hapjes së kapitujve për negociata për anëtarësim, “progresi në grupin e çështjeve “Themelore” do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave”.
“Siç është parashikuar në Kuadrin Negociues, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet para se Shqipëria të arrijë këtë objektiv,” theksohet në dokument.