Daku i kërkoi rrogë marramendëse, miliarderi rus: Çfarë do të thotë që transferimi është në rrezik?
Mirlind Daku ka bërë prapakthehu pasi klubi i Zenit Shën Petersburg është tërhequr nga gara për të siguruar shërbimet e sulmuesit shqiptar. Sipas mediave ruse, shkak janë bërë kërkesat shumë të larta ekonomike të futbollistit shqiptar ndaj një prej klubeve më të fuqishme në kampionatin rus, që sponsorizohet nga paratë e kompanisë “Gazprom”.
Burimet e mediave ruse insistojnë se Daku ka kërkuar një rrogë që kalonte 3,5 milionë euro në sezon, me bonuse të ndryshme, për të finalizuar transferimin e tij nga Rubin Kazan. Kërkesa të cilat nuk kanë bindur drejtuesit e skuadrës së Zenit që janë tërhequr nga gara për firmën e tij.
Deklaratat një ditë më parë nga menaxheri Haris Fakiç, janë konfirmuar edhe nga miliarderi rus Aleksander Medvedev, i cili është aktualisht president i Zenit Shën Petersburg dhe nëndrejtor i “Gazprom”.
I kontaktuar nga agjencia e lajmeve “TASS” para një forumi ndërkombëtar në Shën Petersburg, ai ka shpjeguar se çdo negociatë për Dakun kishte marrë fund. “Çfarë do të thotë që transferimi i Dakut është në rrezik? Ne thjesht nuk ia dolëm të gjenim një marrëveshje me lojtarin dhe përfaqësuesin e tij. Ai nuk do të transferohet te Zenit”, tha presidenti i klubit rus, duke i mbyllur kësisoj dyert e klubit të tij sulmuesit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL