Dhunohej nga ish-bashkëshortja, 38-vjeçari shokon me rrëfimin: Jam përzënë nga banesa që e kam trashëgimi nga im atë, po më mban me forcë shtëpinë
Një 38-vjeçar ka ndarë historinë e tij të dhimbshme në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, ku rrëfeu marrëdhënien toksike me ish-bashkëshorten, me të cilën tashmë është divorcuar.
Sipas tij, gjatë martesës ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga ana e bashkëshortes. Në studio u shfaq edhe një video, ku gruaja shfaqet duke e dhunuar dhe fyer rëndë, përfshirë edhe përdorimin e një fjalori denigrues dhe poshtërues ndaj tij.
Familja e 38-vjeçarit ka deklaruar për redaksinë e emisionit se ish-bashkëshortja jo vetëm që e ka dhunuar, por i ka zaptuar edhe shtëpinë e trashëguar nga babai, e cila nuk është vetëm në emrin e tij, por edhe të motrave dhe vëllezërve të tij.
Në rrëfimin e tij, burri tregoi se lidhja kishte nisur në vitin 2008 pas kthimit të tij nga Greqia, ndërsa shtoi se gruaja ishte shoqja e motrës së tij. Ai tha se në fillim martesa ka qenë e lumtur, por me kalimin e kohës nisi degradimi i raportit, shoqëruar me debate të vazhdueshme.
Sipas tij, marrëdhënia nisi të përkeqësohej ndjeshëm pas një periudhe të vështirë ekonomike dhe dyshimeve për tradhti. Një ngjarje që i ngjalli shumë dyshime ishte kur ai kishte shkuar ta surprizonte në vendin e punës dhe ajo kishte hyrë fshehurazi nga dera e pasme.
“Unë kam pasur një marrëdhënie të mirë me prindërit e saj, por jo me motrat, të cilat mendoj se e kanë nxitur kundër meje. Ndërsa ajo mbante distancë me familjen time. Kam lexuar edhe disa biseda me një person tjetër, që më forcuan dyshimet për tradhti. Në fund, kërkova vetë divorcin, sepse ajo nuk pranonte të përballej me pyetjet e mia,” – u shpreh ai.
Aktualisht, ai thotë se është pa një strehë, pasi është nxjerrë nga banesa që sipas tij është trashëgimi nga babai. Ish-bashkëshortja jeton me dy fëmijët tek prindërit e saj.