Wed, Jun 18, 2025

Evakuimi nga Izraeli i 5 shqiptarëve, ministri Hasani: Tre prej tyre kanë mbërritur në Tiranë, dy të tjerët ndodhen në Athinë

  • PublishedJune 18, 2025

Evakuimi nga Izraeli i 5 shqiptarëve, ministri Hasani: Tre prej tyre kanë mbërritur në Tiranë, dy të tjerët ndodhen në Athinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, njoftoi sot se pesë qytetarët shqiptarë të evakuuar një ditë më parë nga Izraeli kanë mbërritur të sigurt në Athinë në orët e para të mëngjesit.

Sipas Hasanit, tre prej tyre kanë udhëtuar drejt Tiranës, një tjetër pritet të mbërrijë mbrëmjen e sotme, ndërsa qytetari i pestë do të qëndrojë në Greqi, pasi është rezident në këtë vend.

“Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me ambasadat në Tel Aviv dhe Kajro,” bëri të ditur ministri në një postim në Facebook. Ai falënderoi autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe atë Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për ndihmën dhe bashkëpunimin.

Në qëndrimin e tij zyrtar ndaj përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, ministri Hasani theksoi se Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e saj nga kërcënimet, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalë aktivitetet e tij bërthamore.

“Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike për rajonin dhe më gjerë. Shqipëria iu bën thirrje palëve të ulin tensionet dhe të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme politike,” u shpreh Hasani gjatë fjalës së tij në Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).