I shpallur në kërkim nga autoritetet greke pasi vodhi automjete luksoze me vlerë 400 mijë euro, 41-vjeçari përfundon në pranga pas një serie grabitjesh në Durrës
Policia e Durrësit ka arrestuar Amarild Mukën, 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për një seri vjedhjesh në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.
Sipas njoftimit zyrtar, Muka ka kryer grabitje në banesa, automjete, ka vjedhur monopatina elektrike, portofola dhe sende të tjera me vlerë. Ai kishte ngritur një “modus operandi” të përsëritur, duke u bërë objekt hetimi edhe për disa raste të tjera të ngjashme.
Gjithashtu, 41-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa është i dyshuar si autor edhe për disa vjedhje të mëparshme.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”, falë bashkëpunimit me qytetarët.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore një sërë vjedhjesh të kryera në territorin e qarkut Durrës.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i këtyre vjedhjeve, i shpallur në kërkim më parë për mashtrim dhe i dyshuar për disa vjedhje të tjera të kryera më parë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vjedhje, falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasit A. M., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, vjedhje në banesa, në automjete, monopatina elektrike, portofola e raste të tjera të ndryshme.
Gjithashtu ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, dhe i dyshuar si autor për disa vjedhje të ndodhura më parë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Grabitjet në Greqi
41-vjeçar nga Tirana, Amarild Muka, një emër i njohur të paktën prej 13 vitesh për policinë shqiptare, rezulton i shpallur në kërkim edhe nga policia greke si autor i vjedhjes së 8 automjeteve luksoze dhe tentativës për të vjedhur një tjetër.
Amarild Muka, i cili është i skeduar në Greqi edhe me emrat Amarildo apo Amrillo, sipas policisë, grabiti automjete luksoze me vlerë rreth 400.000 euro.
Pas këqyrjes së pamjeve filmike, por dhe analizës së dëshmive apo punës policore, u arrit të zbulohej veprimtaria e Amarild Mukës prej janarit 2022.
Për vjedhjen e automjeteve luksoze ai përdorte dy mënyra, një duke arritur të marrë çelësat nga vendi ku ishin varur në parkim privat dhe e dyta, duke u shtirur si i afërm i pronarit e duke marrë në mirëbesim çelësat nga rojet e parkingut.
Mes automjeteve të vjedhura, rezulton edhe një me targa shqiptare, konkretisht “Mercedes-Benz” AB777VD në pronësi të shtetasit me iniciale V. Dh, ngjarje e ndodhur në 24.12.2023 në një parking privat në Athinë.
Mjetet e vjedhura
09.01.2022 – Në parkingun “Alkiviadou 90 Garage” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Mercedes-Benz” C180 me targa ANP-3736 në pronësi të grekut R. R.
02.09.2023 – Në parkingun “Xentea” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Porsche” Cayenne me targa IHO-3030, me vlerë 50.000 euro, në pronësi të grekut E. L.
20.10.2023 – Në parkingun “Akrokeramos A. E” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Mercedes-Benz” ML 350 me targa IMH-9983, me vlerë 22.000 euro, në pronësi të grekut K. Z.
25.10.2023 – Në parkingun “Unitpark” në Athinë, ka vjedhur mjetin “BMW” X5 me targa BKH-3931, me vlerë 80.000 euro, në pronësi të grekut A. K.
24.12.2023 – Në parkingun “Parking Safe Monoprosopi I K E” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Mercedes-Benz” me targa AB777VD, në pronësi të shqiptarit V. Dh.
03.02.2024 – Në parkingun “ParkingLand” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Mercedes-Benz” me targa PMB7369, në pronësi të grekes B. T.
23.03.2024 – Në parkingun “Leounakis Xaralampos” në Athinë, ka vjedhur mjetin “Lexus” me targa XZA-1182, në pronësi të një firme dhe i marë me qira nga grekja G. X.
29.04.2024 – Në parkingun “Akrokeramos A. E”, në Athinë, ka tentuar të vjedhë mjetin “BMW” 316 me targë të panjohur.
Amarild Muka rezulton i arrestuar në Tiranë në mars 2012 për vjedhje në bashkëpunim të një ore dore dhe një celulari. Në maj 2017 është arrestuar në aksin Mamurras-Laç, pasi u kap duke drejtuar një mjet “Mercedes-Benz”, të cilin e kishte vjedhur në Tiranë, ku kishte marrë edhe 600 euro e 12.000 lekë.
Në nëntor 2017 rezulton i arrestuar në Kamëz, me një pistoletë me silenciator pa leje.