Irani vendos kufizime të përkohshme në internet në gjithë vendin
Autoritetet iraniane kanë vendosur kufizime të përkohshme në qasjen në internet në gjithë territorin e vendit, me argumentin se po merr masa për arsye sigurie.
Lajmi u konfirmua nga Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, e cila deklaroi se masat janë marrë për të parandaluar keqpërdorimin e rrjetit kombëtar.
“Për shkak të keqpërdorimit nga armiku agresor të rrjetit kombëtar të komunikimit për qëllime ushtarake dhe për rrezikimin e jetës dhe pasurisë së njerëzve të pafajshëm, janë vendosur kufizime të përkohshme në qasjen në internet, me vendim të autoriteteve kompetente,” thuhet në deklaratën e ministrisë sipas CNN.
Sipas të njëjtit njoftim, qasja në shërbimet e komunikimit publik dhe platformat vendase mbetet e hapur, ndërsa përpjekjet për të ruajtur cilësinë e shërbimeve për qytetarët iranianë po vazhdojnë.
Kjo ndërhyrje vjen pak pasi organizata jofitimprurëse NetBlocks, e cila monitoron lirinë e internetit dhe qeverisjen dixhitale, raportoi për një ndërprerje pothuajse të plotë të internetit në Iran.
“Të dhënat në kohë reale tregojnë se Irani po përjeton një ndërprerje thuajse të përgjithshme të rrjetit kombëtar,” shkruante NetBlocks në një postim në X.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet iraniane bllokojnë internetin. Gjatë protestave masive në vitin 2022, qeveria iraniane ndërpreu qasjen në internet në mënyrë të përsëritur, në përpjekje për të frenuar valën e pakënaqësisë dhe për të kufizuar organizimin e demonstratave