“‘Mollë sherri’ një mur” – “Tak Fak” përball komshinjtë Liko dhe Agalliu! Dy familjet në Kuçovë, në konflikt prej 30 vitesh
Një mur është kthyer në “mollë sherri” për dy familje në qytetin e Kuçovës, që prej gati 30 vitesh janë në përplasje të vazhdueshme. Familjet Liko dhe Agalliu nuk kanë gjetur ende një zgjidhje, ndërsa secila palë ka versionin e saj mbi ndërtimin dhe pronësinë e murit që i ndan.
Shefqet Liko, i cili i është drejtuar emisionit investigativ “Tak Fak”, thotë se shtëpinë e ka ndërtuar me leje ndërtimi dhe në përputhje me të gjitha rregullat e kohës.
“Pas lejes së ndërtimit, sipas rregullit që ka qenë atëherë, vinte bashkia piketonte. Sipas këtij piketimi, nga objekti duhet të jetë 5 metra. Muri tani më ka zënë derën duke më bllokuar kullimin e ujërave, çka ka sjellë dhe çarjen e shtëpisë të katit të parë”, – shprehet ai për gazetaren e “Tak Fak”, Anxhela Gjiriti.
Sipas tij, përveç dëmeve të shkaktuara, muri e pengon të kryejë edhe punime mirëmbajtjeje në banesë.
“Ky mur më pengon edhe të lyej apo të hap kanal të ujërave të zeza, pasi nuk ka nga hyn skrepi”, – thekson Shefqeti, duke shtuar se ai është ndërtuar pas vitit 2000. Ai tregon se ndonëse ka investuar në shtëpi, kati i parë ka dalë jashtë funksionit për shkak të lagështirës së shtuar.
Nga ana tjetër, familja Agalliu, e intervistuar po ashtu nga gazetarja Gjiriti, pretendon se muri ka qenë aty që më herët dhe është pjesë e pronës së tyre.
“Prona 717 tregon murin në fjalë, është shtëpia ime, çfarë pune ke ti me murin tim”, – shprehet zonja Agalliu, duke akuzuar fqinjin për ndërhyrje në pronën e saj dhe i kërkon që të largohet.
Pavarësisht përpjekjeve dhe ankesave, situata vijon pa zgjidhje.
“Kam 4 vjet që merrem me këtë problem po nuk po gjej dot zgjidhje. Kërkoj që të prishet muri dhe të bëj kanalizimet, gjithashtu ta kem mirë dhe me komshiun”, – përfundon Shefqeti.