Rrezikon pezullim të gjatë, lojtari i Chelsea akuzohet për shkelje të rregullave anti-doping
Anësori i Chelseat, Mykhailo Mudryk, është akuzuar zyrtarisht nga Shoqata e Futbollit të Anglisë për shkelje të rregullave anti-doping dhe mund të përballet me një pezullim deri në katër vjet.
Mudryk nuk ka luajtur që kur u pezullua përkohësisht në dhjetor 2024 pasi dështoi në një test droge. Paraqitja e tij e fundit për Chelsean erdhi në nëntor, ndërsa pezullimi në fuqi do të thotë se ai nuk është në gjendje as të stërvitet në bazën e klubit në Cobham.
“Mund të konfirmojmë se Mykhailo Mudryk është akuzuar për shkelje të rregullave anti-doping duke pretenduar praninë dhe/ose përdorimin e një substance të ndaluar, në kuptimin e rregulloreve 3 dhe 4 të rregulloreve anti-doping të FA-së”, shpjegohet në një deklarata të Shoqatës së Futbollit.
Një rast i ngjashëm është pezullimi që mori Paul Pogba kur u shpall fajtor për doping në vitin 2023. Ky pezullim u reduktua përfundimisht në 18 muaj pas një apelimi në Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin.