Wed, Jun 18, 2025

Zbulohet arsenal armësh në një ndërtesë të braktisur në Vlorë, e pëson keq një i moshuar

  • PublishedJune 18, 2025

Zbulohet arsenal armësh në një ndërtesë të braktisur në Vlorë, e pëson keq një i moshuar

Policia e Vlorës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe municioni luftarak, të fshehur brenda një ndërtese të braktisur në lagjen “Hajro Çakërri”.

Gjatë një operacioni të bazuar në informacione të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kryen një kontroll në katin e dytë të ndërtesës, ku gjetën të murosura dy armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash si dhe rreth 2200 fishekë luftarak.

Policia bën me dije se armët dhe municionet e sekuestruara janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertim, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.

Nga hetimet paraprake rezulton se godina është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në të njëjtën lagje. Për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore, ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Njoftimi:

Gjenden të fshehura në murin e një ndërtese dhe sekuestrohen 2 armë zjarri automatike, mbi 2200 fishekë luftarak dhe 12 granata difensive.

Armët e zjarrit dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim.

Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, pronari i ndërtesës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak.

Armët dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim të mëtejshëm, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.

Nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.