Thu, Jun 19, 2025

“Besoni tek instinktet e Presidentit Trump”, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Ja kur do merret vendimi për një sulm amerikan ndaj Iranit

  • PublishedJune 19, 2025

“Besoni tek instinktet e Presidentit Trump”, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Ja kur do merret vendimi për një sulm amerikan ndaj Iranit

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se presidenti Donald Trump do të marrë një vendim brenda dy javëve të ardhshme nëse SHBA do të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit.

Gjatë një konference për shtyp, Leavitt theksoi se Trump dëshiron t’i japë mundësi përpjekjeve diplomatike përpara se të marrë një vendim përfundimtar mbi një ndërhyrje ushtarake.

“Bazuar në mundësinë e konsiderueshme për negociata, të cilat mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, presidenti do të vendosë brenda dy javëve nëse do të veprojë apo jo,” u shpreh zëdhënësja.

E pyetur lidhur me shqetësimet e mbështetësve për një përfshirje ushtarake në konflikt me Iranin, Leavitt u përgjigj: “Të kenë besim tek Presidenti Trump.” Ajo vlerësoi instinktet e presidentit, duke theksuar se gjatë mandatit të tij të parë ai “e mbajti botën të sigurt përmes forcës dhe vendosmërisë”.

Leavitt konfirmoi se kontaktet diplomatike me Iranin vazhdojnë, por nuk dha detaje mbi arsyet pse Trump beson ende se ekziston një “mundësi e konsiderueshme” për negociata me Teheranin.

Në lidhje me qëndrimin e administratës ndaj një ndërrimi regjimi në Iran, ajo theksoi se prioriteti kryesor i presidentit mbetet ndalimi i ndërtimit të një arme bërthamore nga ana e Iranit.

“Presidenti është i përqendruar te siguria kombëtare dhe parandalimi i kërcënimit më të madh të mundshëm, një Iran me armë bërthamore,” përfundoi Karoline Leavitt.