Thu, Jun 19, 2025

Fjona Muça, nga Tirana në Londër, studentja ekselente e Financës, që po bën emër edhe në modë: Gratë mund të jenë të zonjat në familje dhe karrierë

  • PublishedJune 19, 2025

Vajzat si Fjona Muça i takon rrallë në jetë. E bukur, e sjellshme, ekselente në mësime, me një stil të veçantë në look, plot elegancë dhe sy shprehës që të kujtojnë aktoren dhe ikonën e modës Audrey Hepburn, ajo të bën për vete sapo e sheh.

Katër vite më parë e la Tiranën, dhe familjen më të cilën ishte shumë e lidhur, për të studiuar në Londër në degën e Financës dhe Kontabilitetit. Sot është në vitin e fundit dhe në çdo provim që ka dhënë ka marrë pikët maksimale.

Krahas studimeve ajo ka edhe një tjetër pasion të sajin, atë për modën. Paralelisht me universitetin është angazhuar në fushën e modës duke promovuar si blogere marka të ndryshme veshjesh, brenda dhe jashtë vendit, një lifestyle që buron qysh kur ajo ishte fare e vogël dhe dilte para pasqyrës  e veshur me takat dhe fustanet e mamit. Sot të qenit blogere jo vetëm i fal kënaqësi por edhe i siguron të ardhura për të përballuar kostot e shkollës dhe jetesën në Londër.  Së fundmi kompania e njohur ndërkombëtarisht Temu e ka përzgjedhur për të reklamuar disa produkte të saj ndërkohë që paralelisht Fjona bashkëpunon edhe me Pretty Little Thing, DeMellier, Abercrombie, Trudiamonds, Tatcha etj.

Në këtë intervistë Fjona na tregon rrugëtimin e saj, ambiciet dhe planet që ka për të ardhmen duke shërbyer si një model frymëzimi dhe motivimi edhe për shumë të rinj të tjerë, të cilët përballen me dilema të shumta se si të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kenë sukses në jetë. Fionën mund të  diqni në Instagramin e saj: _ fjonamuca _ 

 

Fjona, sa vjeç je dhe ku je lindur?

Unë jam 21 vjeç dhe jam lindur e rritur në Tiranë, në një familje dhe shtëpi të madhe e rrethuar gjithmonë nga dashuria e prindërve, motrës dhe vëllait tim, gjyshërve, dhe të afërmve të tjerë të familjes.

 Për çfarë ke studiuar?

Kam studiuar Açounting and Finance në Londër pra Financë dhe Kontabilitet. Një fushë që kërkon strukturë dhe saktësi, por që më ka formuar shumë në mënyrën si mendoj dhe veproj. Them që kam bërë zgjedhjen e duhur për të ndërtuar një të ardhme të mirë për veten.

Sot jeton mes Londrës dhe Tiranës. Sa shpesh udhëton nga njëri qytet në tjetrin?

Udhëtimet mes Londrës dhe Tiranës janë bërë një pjesë e natyrshme e jetës sime. Udhëtoj shpesh, aq sa ndonjëherë më thonë me shaka se “e kam kthyer Londrën në Tiranë-Durrës”. Por kjo lidhet shumë me faktin që kam një lidhje të thellë emocionale me Shqipërinë. E dua vendin tim me gjithë zemër atje ndodhet familja ime, kujtimet, fëmijëria. Sa herë që kam mundësi, rikthehem, jo vetëm për të qenë pranë njerëzve të mi, por edhe sepse Tirana më jep një energji të veçantë që nuk zëvendësohet dot. Balanca mes këtyre dy qyteteve më pasuron shpirtërisht dhe më jep një perspektivë më të gjerë për jetën.

Çfarë të lidh më shumë me Tiranën dhe çfarë me Londrën?

Tirana më lidh emocionalisht, në shumë mënyra. Aty është familja ime, rrënjët e mia, njerëzit që më njohin dhe me të cilët kam kujtime. Aty ndjej një lloj rehatie që nuk e përshkruan dot me fjalë; është vetë ajri, është aroma e mëngjeseve, është thjeshtësia dhe afërsia që të mbush shpirtin. Ndërsa Londra më lidh me ëndrrat, me ambiciet, me versionin e asaj që dua të bëhem në jetë. Më jep hapësirë për të eksploruar, për të rrezikuar, për të mësuar e për t’u rritur. Është një qytet që më sfidon dhe më shtyn të jap më të mirën nga vetja. Tirana është baza ime emocionale, ndërsa Londra është fusha ku po ndërtoj veten profesionalisht. Dhe midis këtyre dy poleve, kam gjetur ekuilibrin tim.

Si nisi rrugëtimi yt në fushën e modës, si influencere/blogere?

Që e vogël jam tërhequr gjithmonë nga e bukura. Madje njerëzit më thonë shpesh: “Kështu të mbaj mend e vogël me takat e mamit, me fustanet që i merrje fshehurazi dhe krijoje idetë e tua.” Isha një fëmijë shumë krijues dhe e ndjeshme ndaj detajeve, dhe kjo ndjesi thjesht u rrit bashkë me mua. Më pas, Londra më dha një shtysë edhe më të madhe. Ishte një qytet ku të gjithë guxojnë me stilin e tyre, dhe aty fillova ta njoh më mirë edhe stilin tim. Ishte një fazë e natyrshme, isha në një moshë ku çdo njeri fillon të krijojë identitetin e vet, dhe për mua moda ishte pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj.  Kështu nisi gjithçka, dhe sot është bërë një rrugëtim që më përfaqëson, më sfidon dhe më jep shumë kënaqësi.

A të pengon apo të ndihmon angazhimi si influencere në raport me shkollën?

Nuk më ka penguar, përkundrazi. Më ka mësuar si të menaxhoj kohën dhe më ka dhënë një balancë mes anës analitike të shkollës dhe pjesës kreative që më përfaqëson. Të dyja më plotësojnë në mënyra të ndryshme. Më pëlqen shumë që dita ime përfshin të dyja botët: atë të numrave dhe logjikës, por edhe atë të ngjyrave, estetikës dhe komunikimit me ndjekësit e mi. Kjo më ka bërë të kuptoj se nuk kemi pse të zgjedhim vetëm një dimension të vetes.

Mendon t’i bësh të dyja paralelisht…?

Po, absolutisht. Besoj se me përkushtim dhe organizim mund të arrij të ndërtoj një karrierë dhe të përmbush edhe ëndrrat e mia personale. Për mua, këto dy botë nuk janë kundërshtare, por plotësuese. E shoh veten shumë në fushën e kontabilitetit dhe financës, ku dua të arrij të realizoj vizionin tim profesional dhe të bëhem pjesë e ndryshimeve pozitive në këtë sektor, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë saj. Por njëkohësisht, pasioni im për modën dhe krijimin e përmbajtjes është një pjesë e rëndësishme e identitetit tim, që më jep mundësi të shpreh veten në mënyrë unike dhe të lidhem me njerëz të ndryshëm.

Cili është mesazhi më i bukur që ka ardhur në Instagramin tënd deri më sot?

Marr shumë mesazhe nga vajza që më thonë se e duan stilin tim dhe shpesh më tregojnë që kur duan ide për t’u veshur, hapin faqen time për frymëzim. Kjo më bën shumë të lumtur, sepse kuptoj që po ndikoj pozitivisht dhe po ndihmoj të tjerët të gjejnë stilin e tyre unik.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Fjona Muca (@_fjonamuca_)

Oferta apo bashkëpunimi më i mirë që ke pasur deri më tani? Disa nga emrat e firmave me të cilat punon?

Kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me shumë brande të njohura ndërkombëtare, si Pretty Little Thing, DeMellier, Abercrombie, Trudiamonds, Tatcha, Temu dhe të tjera. Çdo bashkëpunim ka qenë një eksperiencë unike dhe më ka ndihmuar të rritem si influencere dhe krijuese.

Çfarë e frymëzon Fjonën në përditshmërinë e saj?

Më frymëzon çdo moment i vogël që më jep mundësinë të jem më mirë se dje. Londra me energjinë e saj të jashtëzakonshme, njerëzit plot stil  në rrugët e saj, janë burim i vazhdueshëm inspirimi për mua. Por më shumë se gjithçka, më motivon Fjona e së ardhmes, vizioni që kam krijuar për veten dhe rruga që dua të ndjek. Kjo më jep forcë çdo ditë për të mos u ndaluar.

Cila është ikona apo idhulli yt në fushën e modës?

Ndjek shumë influencer që jetojnë në Londër, por edhe disa nga shqiptarët që bëjnë punë të shkëlqyer. Do të veçoja Tamara Kalinic, Kate Hutchins, Leonie Hanne dhe Rosie HW, që më frymëzojnë me stilin dhe profesionalizmin e tyre.

Kur ishe e vogël, çfarë doje të bëheshe kur të rriteshe?

Kam një video nga shkolla, kur isha në klasën e parë, ku më pyesin çfarë dua të bëhem dhe unë them “mjeke.” Mbase kam shkuar pak larg nga ajo ide, sepse deri në vitin e tretë të gjimnazit isha ende e ndarë mes mjekësisë dhe financës. Madje, në provimin e maturës zgjodha biologjinë. Por duket se gjithçka është e shkruar në mënyrë perfekte në jetë, sepse sot jam shumë e lumtur që kam zgjedhur një profesion që më pëlqen, fushën e kontabilitetit dhe financës, por dhe kam mundur të ndjek dhe pasionin tim për modën.

Kush është shembulli yt në jetë?

Padyshim mami im. Ajo është kombinimi më i bukur i forcës dhe butësisë, gruaja që më ka mësuar të jem e fortë edhe kur është e vështirë, të qëndroj me këmbë në tokë, por të ëndërroj gjithmonë lart. Çdo hap që hedh, çdo vendim që marr, ka brenda zërin dhe shembullin e saj. Për mua, ajo nuk është thjesht nënë, por udhërrëfyesja ime në jetë.

A mendon se gratë sot mund t’i bëjnë të dyja shumë mirë, edhe karrierën edhe familjen?

Jo vetëm që munden, por mendoj se gratë janë prova më e gjallë që forca nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar. Ne mund të jemi të zonjat në takime pune dhe të njëjtat duar që shkruajnë kontrata, të jenë edhe ato që përqafojnë fëmijët me gjithë dashurinë e botës. Nuk është çështje kohe, por prioriteti dhe zemre. Shpesh na kanë mësuar se duhet të zgjedhim por unë besoj se femrat nuk zgjedhin mes ëndrrave dhe dashurisë, ato ndërtojnë jetë ku të dyja bashkëjetojnë me harmoni. Dhe kjo është bukuria e gruas së sotme: është një botë e tërë, e aftë të ndërtojë dhe të dashurojë në të njëjtën kohë.

Ku e sheh veten pas 10 vitesh?

Pas 10 vitesh e shoh veten si një profesioniste të suksesshme në fushën e financës dhe kontabilitetit, me një karrierë të ndërtuar me përkushtim, pse jo këtu në vendin tim, por dhe Londrën nuk e përjashtoj nëse do kem oferta të mira pune. Synimi është të fokusohem patjetër në fushën ku po diplomohem, ku studimi, trajnimet, dhe qasja ndaj risive do të vijojnë përtej studimeve universitare, për të sjell më të mirën në këtë sektor, me ide inovative në fushën e taksave, biznesit e ekonomisë në tërësi. Por krahas kësaj, dua të vazhdoj të jem aktive si influencere, për aq kohë sa do më mbetet, duke frymëzuar të tjerët dhe duke ruajtur balancën mes profesionit dhe pasionit.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Fjona Muca (@_fjonamuca_)