Nga Dubai drejt Shqipërisë, ekstradohen 3 të besuar të Talo Çelës! Të akuzuar për vrasje në kuadër të grupit kriminal
Tre shtetas shqiptarë të shumëkërkuar nga drejtësia do të ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë, si pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Të ekstraduarit janë:
- Ado Xhika, i njohur edhe me emrat Ado Cërriku dhe Elkier Cërriku, i akuzuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) për përkrahje të shtetasit në kërkim Talo Çela, në kuadër të një organizate kriminale.
- Ervis Daka, i cili përballet me akuza si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe ka ndihmuar një shtetas të shpallur në kërkim.
- Maksim Koçi, i akuzuar për përfshirje në vrasje, sigurimin e mjeteve për kryerjen e tyre, si dhe përkrahje të një shtetasi të shumëkërkuar, gjithashtu në kuadër të një organizate kriminale.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.