“Nuk lodhemi së fituari”, Rama në 34-vjetorin e PS-së: Shumë gjëra duhen bërë më mirë, parlamenti duhet të bëhet shtylla kryesore e anëtarësimit në BE
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në festën e organizuar për 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke përshëndetur anëtarët dhe simpatizantët e partisë, si ata të pranishëm, ashtu edhe ata që nuk ishin fizikisht.
“Gëzuar ditëlindjen e 34-të të Partisë Socialiste! Një ditë e veçantë kjo, e cila vjen pas një fitoreje të thellë të PS-së, që na ngarkon me përgjegjësi më të madhe se kurrë më parë,” tha Rama. Ai theksoi se kjo fitore është rezultat i një mbështetjeje të jashtëzakonshme nga qytetarët.
“Kurrë nuk jemi shmangur nga përgjegjësitë që vijnë pas fitoreve. Nuk lodhemi të fitojmë sepse nuk lodhemi të marrim përgjegjësi dhe të reflektojmë mbi mënyrat se si mund të bëjmë më mirë,” shtoi ai.
Kryeministri Rama nënvizoi se mandati i ri i PS-së vjen me një besim të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin drejt integrimit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, sipas tij një objektiv i rëndësishëm dhe i vështirë për t’u arritur.
“Ky është një objektiv që kërkon përmirësim të vazhdueshëm dhe angazhim të plotë, por nuk kemi arsye të mos jemi besimplotë,” tha Rama.
Tutje ai theksoi se ky parlament do të jetë shtylla kryesore e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitet që vijnë.
Rama: Gëzuar ditëlindjen e 34-të të PS! Juve që jeni këtu dhe gjithë atyre që nuk janë këtu të pranishëm por janë pjesë e pandashme e kësaj familje të madhe politike. Kjo është një ditëlindje që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen pas një fitoreje dmth të PS. Një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, për vetë faktin që u mishërua si rezultat i një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për PS.
Pa dyshim që ne nuk jemi frikur dhe shmangur asnjëherë përgjegjësive që vijnë me fitoret. Kjo është arsyeja kryesore pse ne nuk lodhemi së fituar, pasi nuk lodhemi së ngarkuar veten me përgjegjësi dhe së reflektuar se ç’mund të bëjmë më mirë. Shumë gjëra duhen bërë më mirë, në kushtet kur kjo fitore lidhet me një mandat besimit të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për të anëtarësuar Shqipërinë ne BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë dhe dmth më të madhe për përgjegjësin me këtë objektiv. Sa i arritshëm dhe tejet i vështirë për tu arritur.
I afërt dhe i lidhur me sa shpejt ne do jemi në gjendje të përmirësojmë çka duhet përmirësuar. Nuk kemi asnjë arsye për të mos qenë besimplotë. Kemi një skuadër të re me jo pak, por me 83 deputetë. Më shumë se sa numri, është përbërja e skuadrës, harmonizimi i eksperiencës me prurje të reja. Shpërndarja më e mirë se asnjëherë tjetër e peshës së përfaqësimit në çdo territor. I japin kësaj skuadrës të re të përballojë peshën në këto vite ku parlamenti duhet të bëhet shtylla kryesore e anëtarësimit në BE.