Thu, Jun 19, 2025

Spaçi, piskama që na thërret të mbrojmë lirinë

  • PublishedJune 19, 2025

Spaçi, piskama që na thërret të mbrojmë lirinë

BESIM NDREGJONI

Mbas një punë 12-mujore së bashku me ekipin tim të mrekullueshëm përfunduam filmin dokumentar “Spaç 1973, Martirët e Lirisë”. Kam 35 vite që merrem me dokumentimin, ngjarjet dhe gjenocidin komunistë që kaloi Shqipëria nën sundimin e një regjimi që emrin e mbante komunist, por ishte i barabartë me nazizmin dhe nga përmasat e gjenocidit ia kaloi stalinizmit bolshevik. Si pinjoll i një familjeje që përballoi tri diktatura fashiste, naziste dhe gjenocidin komunist 50-vjeçar ku u përdorën të gjitha llojet e krimeve, në familjen dhe fisin tim, si pushkatimet pa gjyq, vrasjet në mal, mbytjet e tmerrshme në hetuesi nga torturat e xhelatëve enveristë, burgosjet politike dhe deri në çmendinë nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit, mohimi i të gjitha të drejtave për ne, brezin e dytë, falë Zotit sot kam marrë përsipër misionin tim të lartë, dokumentimin e krimeve të komunizmit, mision që po e kryej pa ndihmën e të ashtuquajturit shtet demokratik, por fal dëshmive rrëqethëse të bashkëvuajtësve të mi, të cilët nuk ka nguruar edhe pse kanë qenë të trishtuar nga sjellja e klasës politike e ashtuquajtur demokratike, por që ka demonstruar vetëm pushtet dhe ideologji të diktaturës për tri dekada rresht.

Bazuar në dokumentacionin e arkivës së Ministrisë Brendshme dhe Arkivës së Shtetit po iu transmetojmë këtë film dokumentar kujtese se demokracia nuk ndërtohet mbi harresën dhe se pa mbrojtur kujtesën, ne nuk mbrojmë lirinë tonë! Po mundohem të paraqes në mënyrë të shkurtuar krimet e Enver Hoxhës, që fatkeqësisht ishte shqiptar si ne, por përdorte pushtetin e tij për të vrarë e prerë bashkëkombësit e tij, të cilët nuk e pranonin ideologjinë e tij shtazarake e kriminale. Nazizmi zhduki 6.000.000 milion çifutë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një popullsi prej 10.000.000 banorë.

Enver Hoxha pushkatoi dhe u zhduku kufomat gjatë regjimit të tij, mbi 6000 shqiptarë, që Shqipëria nuk i kalonte mbi 1.500.000 banorë. Sot mbas 35 vitesh demokraci, familjarët e 6000 shqiptarëve lotojnë se nuk kanë një varr për gjyshin, babën, burrin, nënën motrën, dajën. Vetëm politikanët shqiptarë aktualë nuk shohin, as nuk dëgjojnë, lotët, e bashkëkombësve të tyre. Çifutët i vrau një gjerman, shqiptarët i vrau një shqiptar. Sot demokracia shqiptare hesht, ban politikë mbi gjakun e pafajshëm të shqiptarëve të mirë, të atyre që i dhanë këtij kombi pavarësinë, shtetin, elitën, që luftuan fashizmin, që mbrojtën hebrenjtë gjatë nazizmit dhe që u masakruan në komunizëm për moral, vlera, fisnikëri, bujari dhe që mbronin me jetën e tyre çdo dok e zakon që lartësonin shqiptarin. Sot u drejtohem mediave dhe moderatorëve që promovojnë vetëm politikë për pushtet dhe heshtin si në kohë të diktaturës që vrasjet dhe vuajtjet i fshinin.

Sot demokracinë e kanë monopolizuar trashëgimtarët e xhelatëve të djeshëm dhe e kanë kthyer sistemin demokratik pa vlerë, pa votë të lirë, pa rotacion politikë. Politikanët dhe mediat janë kthyer në një sistem pa vlera, vetëm helmatiset rinia me propagandë bajate për pushtet dhe aspak për të ndërtuar shtet të së drejtës, siç luftuan antikomunistët për 50 vite kundër diktatorit dhe diktaturës hoxhiste. Të burgosurit politikë shqiptarë janë të parët në Europë për rezistencën antidiktatoriale që si askush komb tjetër luftuan e mbrojtën disidencën, mendimin ndryshe, qëndresën stoike, ndaj torturave çnjerëzore të papara në Europën e pasluftës së Dytë Botërore, që mbrojtën në mes plumbave identitetin kombëtar flamurin kuq e zi.

“Spaçi 1973 Martirët e Lirisë” ka hyrë në historinë shqiptare si kampi i Aushviçit, një kamp që përdorte të burgosurit politikë si skllevër, për të mbajtur pushtetin e tij absolut. Shqipëria doli më ‘90 me plagë që akoma rrjedhin gjak, Spaçi është plaga e pambyllur. Ky kamp famëkeq në mes të maleve të Mirditës, një skenë e fshehur në komunizëm një vend torturash, vuajtjesh, një vend që zhbënte njeriun. Por edhe një vend historik, ku shqiponjat që i kishin hekurat e xhelatëve në duar, guxuan u ngritën dhe ngjyrosën me gjakun e tyre flamurin kombëtar pa yllin e bolshevizmit enveristë, por siç ishte në kohën e Skënderbeut, ashtu siç është tani që e kemi në zyra, në rrugë në manifestime. Spaçi sot ka mbetur rrënojë. Dhe kështu si rrënojë flet si Aushviçi. Spaçi është një referendum i heshtur me historinë. Një filozof francez shkruan “Kujtesa, historia, harresa na kujton se ‘Kujtesa e drejtë është ajo që nuk fsheh as krimin, as viktimën, ajo kërkon drejtësi përmes të vërtetës”. Spaçi në historinë e tij është vendi ku krimi shtetëror, viktima, disidenti, heroi kanë qenë përballë çdo ditë, por edhe sot janë përballë, këto tregon filmi dokumentar “Spaç 1973 Martirët e Lirisë”.

Spaçi ka lëshuar piskamën kur do të më lejoni të them të vërtetën siç ka qenë! Shteti ka detyrë dhe përgjegjësi kombëtare për kujtesën historike dhe informimin mbi qytetarët këtë mesazh jep filmi dokumentar “Spaç 1973 Martirët e Lirisë”. Spaçi na mëson të mos të lejojmë ndërhyrjet burokratike që ta shndërrojmë në projekt propagandistike Spaçin, për ta zhveshur nga e vërteta. Dhe më keq Spaçin nuk do ta lejojmë një zbukurim të diktaturës si Bunkerarti 1 dhe 2, apo “Shtëpia me gjethe”. Spaçi është e do të jetë muzeu i qëndresës heroike i kundërshtarëve dhe martirëve. Ai përballet me mungesë dhe indiferencën e politikës dhe pushtetit. Kjo klasë politike ka 35 vite që manipulon kujtesën. Ky film dokumentar tregon sesi Spaçi është kthyer në simbol të heshtjes zyrtare. Ky film apelon: Shpallni Spaçin muze, dëshmitë e të mbijetuarve, dosjet e deklasifikuara, dokumentet e arkivave digjitale, shteti duhet t’i financojë dhe ta shpalli Spaçin siç e kemi shpallur ne të përndjekurit politikë: Spaçi –Muri i fjalës së lirë!

Spaçi është vendi ku njeriu shqiptar mëson të mos dorëzohet. Le të jetë ky film mesazhi, ku ne të mësojmë, të mos harrojmë! Në përurimin e premierës së filmit dokumentar “Spaç 1973 Martirët e Lirisë”. Si autor i këtij filmi kisha ftuar të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar, të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, të njiheshin me heroizmin dhe me vuajtjet e të burgosurve politikë të Spaçit, ata nuk erdhën, ata nuk i nderuan heronjtë e mbrojtjes së flamurit, të cilën e mbajnë në zyrat luksoze, do t’i quajnë mjeranë, të vegjël, aspak pushtetarë, apo administratorë që i shërbejnë shtetit të së drejtës. Vetëm i mëshirojmë këta dallkaukë të pacipë të pushtetit. Por dua të falënderoj me zemër ata qindra të rinj, studiues, të cilët u lotuan kur panë tmerret e Spaçit në kinemanë “Millenium” më 17 qershor 2025. Të falënderoj ata ambasadorë, të cilët erdhën dhe nderuan Spaçin.

Heronjtë Spaçit, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, heroi i ri 20-vjeçar Skënder Daja, sot nuk kanë një varr, siç nuk kanë një varr mbi 6000 shqiptarë që i zhduku Enver Hoxha, por historia e kombit këta heronj të fjalës së lirë i nderon dhe do t’i nderojë gjithë jetën dhe kombi i ka në gjoksin e tije, si martir lirie, kurse këta politikan aktual dhe drejtues të institucioneve të ashtuquajtura demokratike do t’i përçmojë historia, si antikombëtar, siç përçmon diktatorin më të egër të shqiptarëve, Enver Hoxhën. Lavdi shqiponjave të lirisë që përballuan Spaçin! Por që banë revoltën antikomuniste në mbrojtje të flamurit. Spaçi na mëson të mos lejojmë asnjë lloj pushteti që me metoda demokratike do të na burgosi lirinë. Spaçi i përçmon ata politikan që dhunojnë lirinë, votën, demokracinë. Jo ma! Të ruajmë lirinë! Mesazhin tim po e mbyll me thirrjen që bëri 52 vite më parë heroi Pal Zefi kur filloi revolta e Spaçit: A ka mbet ndonjë shqiptar që të shpëtojë nderin e shqiptarëve!

Autor i filmit dokumentar “Spaç 1973 Martirët e Lirisë”

/Gazeta Panorama