Belshi, sërish kryeqyteti i çiklizmit përfundon me sukses Kampionati Kombëtar Individual 2025
Nga Fatmir Popja
Belshi është kthyer sërish në epiqendrën kombëtare të çiklizmit duke pritur për të disatin vit radhazi Kampionatin Kombëtar Individual të Çiklizmit, një nga eventet më të rëndësishme sportive në vend. Nën organizimin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, kampionati u zhvillua në dy ditë, të enjten me garat në kronometër dhe të premten me garën e rrugës.Garat e këtyre dy ditëve përfshinë të gjitha kategoritë,Kadetë, Juniorë, të Reja, të Rritura, Elitë dhe U-23.
Itinerari i garave ishte i përbashkët për të gjitha kategoritë duke filluar nga qendra e qytetit të Belshit dhe duke kaluar në Grekan, Dëshiran, Dumre, Kodrat e Lulit, për t’u kthyer më pas sërish në Belsh. E gjitha në formë cirkuiti me numër të ndryshëm xhirosh sipas kategorive.Për Kadetët, gara përfshinte 73.2 kilometra me fitues Nicolas Persiani nga Elbasani, me kohën 1h40’05”.Kategoria Junior zhvilloi 4 xhiro me një total prej 97.6 km, ku triumfoi Leo Piku i ekipit Studenti me kohën 1h47’57”.Në garën e femrave, një përfundim emocionues: Nelia Kabetaj (Studenti) dhe Nikol Dollaku (Flamurtari) ndanë vijën e finishit me të njëjtën kohë, 3h05’47”. Kabetaj u shpall fituese për të rritura, ndërsa Dollaku për kategorinë e të rejave.Kategoria Elitë dhe U-23, me një distancë totale 146.4 km dhe një ritëm të lartë gare, u fitua nga Lucas Sulaj Kloppenborg (Studenti), duke i dhënë një tjetër trofe të rëndësishëm klubit të tij.Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 70 çiklistë nga ekipet më të njohura shqiptare si: Vllaznia, Tirana, Teuta, Skënderbeu, Studenti, Apollonia, Flamurtari, Besa, si dhe çiklistë të kombëtares shqiptare që garojnë jashtë vendit, veçanërisht nga Italia. Eventi u zhvillua nën masa të forta sigurie të ndërmarra nga Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit dhe Policia Bashkiake e Belshit të cilat siguruan bllokimin e rrugëve gjatë kalimit të çiklistëve dhe ruajtjen e rendit në çdo segment të itinerarit. Gjithçka u menaxhua me përpikmëri, duke garantuar sigurinë e pjesëmarrësve dhe sportdashësve. Kushtet atmosferike në prag të fundit të garës çiklistike ishin sfidë shtesë për organizatorët dhe sportistët .Pavarësisht kushteve atmosferike të papritura me një përzierje të temperaturave mbi 34°C dhe një rrebeshi të fuqishëm shiu e breshëri në minutat e fundit të garës aktiviteti u përmbyll me sukses. Për shkak të stuhisë, ceremonia e ndarjes së çmimeve nuk u mbajt në sheshin qendror të Belshit siç ishte planifikuar, por në një ambient të mbyllur, për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e pjesëmarrësve.Ky kampionat i çiklizmit ishte ngjarje mjaft e rëndësishme sportive që e konfirmon Belshin si një qendër të rëndësishme të sportit shqiptar.
Zhvillimi i Kampionatit Kombëtar në Belsh, tashmë për disa vite me radhë dëshmon për potencialin dhe rëndësinë që ky qytet dhe e gjithë zona e Dumresë po merr në kalendarin sportiv kombëtar, veçanërisht në sportin e çiklizmit. Infrastruktura natyrore dhe përkrahja institucionale po e kthejnë Belshin në një pikë referimi për garat elitare të këtij sporti.Nga ana e tij Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, z. Skënder Anxhaku në mbyllje të garave u shpreh i kënaqur që Belshi po shndërrohet në një stacion të përhershëm për çiklizmin shqiptar. Ky kampionat tregoi jo vetëm cilësi dhe përgatitje të lartë sportive, por edhe një bashkëpunim të shkëlqyer mes institucioneve. Dua të falënderoj sportistët, trajnerët, ekipet pjesëmarrëse dhe strukturat vendore që garantuan një organizim të shkëlqyer. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, treguam se çiklizmi në Shqipëri ka një të ardhme të ndritur dhe se jemi të gatshëm të rrisim standardet çdo vit.”


