Ja kushtet që Chris Brown duhet të respektojë pas akuzës për sulm në Londër
Chris Brown, 36 vjeç, është paraqitur sot në Gjykatën e Lartë të Southwark në Londër, për të dhënë deklaratën e tij lidhur me një sulm të dyshuar ndaj producentit muzikor Abraham Diaw, në një klub nate në shkurt 2023.
Sipas akuzës, Brown e ka goditur Diaw disa herë me shishe, dhe më pas e ka ndjekur në një zonë tjetër të lokalit ku e ka rrahur me grushta dhe shqelma, ndërsa viktima ndodhej i shtrirë në tokë. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe përshkruhet si “shumë serioze”.
Reperi amerikan është arrestuar në Manchester më 15 maj, disa orë pasi kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me avion privat. Ai është liruar nga burgu me një kaucion prej 5 milionë paundësh, por me disa kushte të rrepta, përfshirë:
•Të qëndrojë në një adresë të përcaktuar në Mbretërinë e Bashkuar
•Të mos i afrohet klubit “Tape” në Londër
•Të mos kontaktojë viktimën, bashkëpandehurin apo dëshmitarët
•Pasaportën ta përdorë vetëm për lëvizje të lidhura me turneun
Nëse shkel ndonjë nga këto kushte, rrezikon të humbasë shumën e garancisë dhe të kthehet pas hekurave.
Seanca u zhvillua edhe në prani të bashkëpandehurit, reperit amerikan Omololu Akinlolu, 38 vjeç, me të cilin do të përgatitet procesi gjyqësor.