Rrezikuan të mbyteshin, shpëtohen dy peshkatarët babë e bir nga stuhia në liqen
Dy peshkatarë, babë e bir, janë shpëtuar pasditen e sotme nga Policia Kufitare në liqenin e Pogradecit, pasi u gjendën në vështirësi për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Sipas informacioneve zyrtare, peshkatarët kishin dalë me varkë për të ushtruar aktivitetin e tyre, por u përballën me dallgë të forta dhe erë të fuqishme si pasojë e një stuhie të papritur. Ata njoftuan menjëherë autoritetet për ndihmë.
Në reagim të menjëhershëm, forcat e Policisë Kufitare lokalizuan varkën dhe bënë të mundur nxjerrjen e sigurt të dy personave nga liqeni. Fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Pogradec
Policia Kufitare u shkoi në ndihmë dy shtetasve që rrezikoheshin të mbyteshin në liqen, për shkak të motit të keq.
Shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur lokalizimin dhe kthimin e sigurt në breg të dy shtetasve, babë e bir, që kishin dalë për peshkim në liqen.
Në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kishte mbërritur një telefonatë për ndihmë nga dy shtetas, të cilët kishin dalë me varkën e tyre për peshkim dhe, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, nuk po mundeshin të ktheheshin në breg.
Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat, me mjetin lundrues “Skaf”, lokalizuan varkën rreth 1.5 milje larg bregut dhe bënë të mundur kthimin e sigurt të dy shtetasve në mol. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Qytetarët (babë e bir) falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112.