Bayern “fluturon” në 1/8, “thyen” edhe Boca-n, por Musiala prish festën (VIDEO)
Bayern Munich “fluturon” në fazën e 1/8 në Botërorin e Klubeve pas suksesit 2-1 kundër Boca Junior, 2 ndeshje 6 pikë të plota. Kompany vërtetoi edhe një herë se Bayern kërkon t’i shkojë deri në fund këtij turneu pasi kishte hedhur në fushë formacionin e tij më të mirë. Bavarezët e nisën sfidën “zjarr” ku gjetën golin e avantazh pas vetëm 8 minutash lojë, me Olise që dërgoi topin në rrjetë drejtpërdrejtë nga goditja e këndit, por gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, anuloi gjithçka për faull ndaj portierit.
Bayern kishte kontrollin total të lojës, me golin që ishte në ajër, ndërsa në minutën e 18-të, Harry Kane brenda në zonë me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Ekipi gjerman krijoi disa raste të pastra për gol, por me fillimin e pjesës së dytë Boca i befasoi me një zbritje të shpejtë në sulm, ku Merentiel me një finalizim plot klas barazoi shifrat në 1-1. Bayern nuk hoqi dorë për asnjë moment nga faza ofensive dhe më në fund pas disa përpjekjeve, në minutën e 84-të, Olise me një goditje perfekte realizoi golin e dytë për ekipin gjerman. Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Laimer, por në pozicion të pa rregullt. Rezultati mbeti i pandryshuar, me Bayern që feston për këtë trepikësh, por jo plotësisht pasi dëmtimi i Musiala-s zbehu këtë mbrëmje.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri Kompany vlerësoi faktin që ekipi i tij siguroi një biletë për në fazën e 1/8: “Jam i kënaqur për këtë, për faktin që jemi mes 16 ekipeve më të mira. Ishte një ndeshje e vështirë, kundër ekipeve nga Amerika e Jugut është e vështirë, por ne e kontrolluam mirë lojën. Jemi shumë të lumtur që e kemi filluar këtë turne me 2 fitore”, u shpreh Kompany.
()