Sat, Jun 21, 2025

Çudirat e Botërorit e Klubeve, zëvendësuesit nuk ulen në stol por shohin ndeshjen në dhomën e zhveshjeve

  • PublishedJune 21, 2025

Çudirat e Botërorit e Klubeve, zëvendësuesit nuk ulen në stol por shohin ndeshjen në dhomën e zhveshjeve

Botërori i Klubeve në SHBA po tregon se aktiviteti më i rëndësishëm i vitit të ardhshëm, Kupa e Botës, duhet të përgatitet të përballet me disa vështirësi që nuk ndesheshin prej kohësh. Shkak janë bërë kushtet atmosferike që kanë sjellë ndërprerje të vazhdueshme të disa ndeshjeve, apo edhe situata të pazakonta si e sotmja, ku lojtarët e Borusia Dortmund ndoqën ndeshjen nga dhoma e zhveshjeve.

Ndeshja kundër Mamelodi Sandauns u zhvillua në Sinsinati, me temperatura mbi 30 gradë dhe me një diell përvëlues, që bëri që gjatë ndeshjes të kishte ndalesa të gjata “freskimi” për lojtarët. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe para dy pankinave ishin vënë ventilatorë gjigandë për të freskuar pak atmosferën.

Por që në fillim u bë e qartë se temperaturat do të ishin problematike ndaj klubi i Borusia Dortmund mori një vendim ekstrem. Lojtarët e stolit nuk dolën të uleshin në pankinë gjatë pjesës së parë, por qëndruan duke ndjekur takimin para televizorit në dhomën e zhveshjeve.

Një situatë e pazakontë, por që kishte si qëllim që t’i mbante ata sa më freskët në krahasim me vapën që përjetohej në ambientin e jashtëm të stadiumit, ku lojtarët që në nxemje mbanin të veshura bluza të lagura më përpara me ujë.

PANORAMASPORT.AL