Izraeli sulmon centralin bërthamor iranian në Isfahan, mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së: Nuk ka pasoja radiologjike
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, ka konfirmuar se Izraeli ka sulmuar një impiant bërthamor iranian në Isfahan, duke rritur shqetësimet për sigurinë bërthamore në rajon.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi, objektivi i sulmit ishte një punëtori centrifugash, ku prodhoheshin makinat që përdoren për pasurimin e uraniumit.
“Ne e njohim mirë këtë objekt. Aty nuk kishte material bërthamor, ndaj sulmi nuk ka pasoja radiologjike,” deklaroi Grossi.
Ky është sulmi i tretë i ngjashëm ndaj një objekti bërthamor iranian që nga fillimi i përplasjes më 13 qershor, sipas agjencisë. Dy objektet e mëparshme të goditura nga Izraeli ishin Qendra Kërkimore në Teheran dhe një tjetër punëtori në qytetin Karaj.
Në një deklaratë të mbajtur të premten përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Grossi paralajmëroi: “Sulmet ndaj objekteve bërthamore në Iran kanë shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm të sigurisë bërthamore, edhe pse deri tani nuk ka pasur rrjedhje radiologjike që të ketë ndikuar në publikun e gjerë. Rreziku që kjo të ndodhë, ekziston.”