U ekstraduan nga Emiratet për vrasje në kuadër të grupit kriminal, GJKKO lë në fuqi masën “arrest në burg” për tre të besuarit e Talo Çelës
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë për tre bashkëpunëtorë të ngushtë të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Bëhet fjalë për Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi, të cilët u ekstraduan më 20 qershor nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri. Ata akuzohen për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë vrasje dhe sigurim të mjeteve për kryerjen e vrasjeve, sipas dosjes së SPAK.
Detajet e akuzave:
- Ervis Daka dyshohet se ka informuar autorët për lëvizjet e shtetasit K. P., duke ndihmuar në tentativën për vrasjen e tij. Gjithashtu, akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit A. S., si dhe për strehimin dhe transportimin e Talo Çelës, duke i garantuar kushte për jetesë gjatë arratisë.
- Maksim Koçi rezulton i përfshirë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A., si dhe në sigurimin e mjeteve për atentate të tjera të planifikuara, përfshirë ndaj A. S. dhe A. C. Gjithashtu, ka ndihmuar në fshehjen e Talo Çelës.
- Ado Xhika, sipas hetimeve, ka strehuar Talo Çelën për afro dy vite, duke i krijuar kushte për jetesë në arrati. Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është se ai ka shoqëruar një gazetar për të realizuar një intervistë me të shumëkërkuarin Çela, gjatë kohës kur ky i fundit ishte ende në arrati.
Tre të arrestuarit konsiderohen pjesë aktive e strukturës kriminale që drejtohej nga Talo Çela, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, ende në kërkim nga autoritetet.
Njoftimi:
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.
Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.
3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.