VIDEO/ Nxirret më në fund nga uji pas 10 muajsh jahti luksoz “Bayesian”, i cili u fundos në Palermo
Jahti luksoz “Bayesian”, i cili u mbyt në Porticello, Palermo, natën e 19 gushtit 2024, është nxjerrë më në fund nga uji pas 10 muajsh nga vinçat gjigantë Hebo Lift 10 dhe 2.
Menjëherë pas kësaj, do të nisin operacionet për zbrazjen e ujit të mbetur brenda, proces që do të ndihmojë në vlerësimin e gjendjes së mjetit pas ngjarjes.
Në zonën përreth vendit të operacionit të shpëtimit, janë pozicionuar disa mjete lundruese të Gardës Detare për të siguruar perimetrin dhe për të kontrolluar nëse ka ndonjë rrjedhje karburanti nga anija.
Në terren janë edhe ekspertët e Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (ARPA), të cilët po përdorin dronë me teknologji infra të kuqe për të kapur edhe ndotjen më të vogël potenciale.
Në një nga motovedetat kanë mbërritur prokurori Raffaele Cammarano, i cili po drejton hetimet, së bashku me ushtarakë të Gardës Detare që kanë qenë të përfshirë në hetimin e ngjarjes.
Shtylla e jahtit “Bayesian”, e gjatë 72 metra, ishte prerë ditë më parë për të lehtësuar operacionin e shpëtimit dhe ndodhet ende në fund të detit. Ajo pritet të nxirret mesditën e së dielës ose të hënën në mëngjes, për t’u transportuar më pas në portin e Termini Imerese.