Britania e Madhe i kërkon Iranit të bashkëpunojë plotësisht me mbikëqyrësin bërthamor: Palët të kthehen në tryezën e negociatave
Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB mbajti fjalën në Këshillin e Sigurimit në takimin në Nju Jork për konfliktet në Lindjen e Mesme.
Barbara Woodward tha se ky është një “moment vendimtar” për Lindjen e Mesme, ndërsa theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk mori pjesë në sulmet e SHBA-ve dhe të Izraelit ndaj Iranit.
“Kryeministri im ka qenë e qartë”, tha ajo.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit tani të tregojë përmbajtje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të kthehen në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një zgjidhje diplomatike, e cila ndalon përshkallëzimin e mëtejshëm dhe i jep fund kësaj krize”, theksoi përfaqësuesja britanike.
Woodward i bën thirrje gjithashtu Teheranit të “bashkëpunojë plotësisht” me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.