Sun, Jun 22, 2025

Fuqia fluturuese e SHBA-së që vite më parë goditi objektivat serbe, çfarë dimë për B-2, bombarduesin që sulmoi Iranin

  • PublishedJune 22, 2025

Fuqia fluturuese e SHBA-së që vite më parë goditi objektivat serbe, çfarë dimë për B-2, bombarduesin që sulmoi Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se bombarduesit strategjikë B-2 Spirit të Forcave Ajrore Amerikane janë përdorur në sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

B-2 konsiderohet si bombarduesi më modern dhe më i avancuar në arsenalin amerikan. I pajisur me katër motorë dhe një ekuipazh prej vetëm dy personash, ky aeroplan është projektuar për të mbajtur armë bërthamore ose konvencionale, me një kapacitet ngarkese prej 18,000 kilogramësh dhe rreze veprimi të pakufizuar falë furnizimit në ajër.

Ky bombardues fluturoi për herë të parë në vitin 1989 dhe debutoi në luftë dhjetë vite më vonë, gjatë Operacionit Allied Force, ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Nga baza e tij në Missouri, ai realizoi misione pa ndalesë për të goditur objektivat serbe.

Më pas, B-2 u përdor në misione strategjike në Afganistan (2001) dhe më së fundmi është vendosur edhe në bazën amerikano-britanike Diego Garcia në Oqeanin Indian për sulme kundër objektivave të Houthive në Jemen.

Aktualisht, Forcat Ajrore Amerikane kanë në inventar vetëm 20 avionë B-2, të gjithë të vendosur në bazën ajrore Whiteman në Missouri. Çdo njësi vlerësohet të kushtojë rreth 2 miliardë dollarë.

Në sulmet e fundit ndaj Iranit, SHBA përdori gjithashtu bombën GBU-57A/B Massive Ordnance Penetrator (MOP) – të njohur ndryshe si “bunker buster”. Kjo bombë peshon 13,600 kilogramë, nga të cilët 2,700 kilogramë janë eksplozivë, dhe është ndërtuar për të depërtuar objektiva fort të mbrojtura nëntokësore.

Sipas burimeve të njohura me operacionin, B-2 është i vetmi avion në flotën amerikane që mund të transportojë këtë lloj bombe, e projektuar për të shkatërruar armë të shkatërrimit në masë të vendosura në thellësi.