Sulmet e SHBA, Berisha: U asgjësua potenciali bërthamor i regjimit, një mundësi për një Iran të lirë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj centraleve bërthamore të Iranit, duke i cilësuar ato si një pikë kthese për popullin iranian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha tha se “de facto u asgjësua potenciali bërthamor i Ajetullahëve të Iranit nga fuqia ajrore e SHBA-së”, duke e quajtur këtë një mundësi të re për t’u çliruar nga regjimi teokratik.
“Obliterimi, de facto asgjësimi mbrëmë i potencialit bërthamor të Ajetullahëve të Iranit nga fuqia ajrore e SHBA-së është një mundësi e re dhe një thirrje e fuqishme për iranianët në Iran dhe në botë të bashkohen për përmbysjen e diktaturës teokratike obskurantiste dhe për një Iran të lirë dhe demokratik,” shkroi Berisha.