Tensionet në Lindjen e Mesme! Netanyahu: Izraeli shumë pranë arritjes së objektivave ndaj Iranit
Izraeli është “shumë, shumë pranë” përmbushjes së objektivave të tij ndaj Iranit, pas urdhrit të presidentit amerikan Donald Trump për bombardime gjatë natës mbi objektet bërthamore, deklaroi të dielën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Duke përsëritur qëllimet e tij për të shkatërruar kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit, Netanyahu tha në një konferencë për media:
“Po lëvizim hap pas hapi drejt arritjes së këtyre objektivave, jemi shumë, shumë pranë përmbushjes së tyre”.
Ai shtoi se “kur këto objektiva të jenë arritur, operacioni do të përfundojë.”
SHBA-ja njoftoi sot se ka sulmuar tre impiante bërthamore të Iranit.
Objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Isfahan janë “shkatërruar plotësisht” sipas presidentit amerikan, Donald Trump.
Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë gjatë operacionit.
Trump i kërkoi Iranit që të bëjë paqe, në të kundërtën tha se sulmet do të vazhdojnë.
Irani ka dënuar sulmet dhe tha se i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin e tij.
Shtetet nga mbarë bota kanë bërë thirrje për bisedime dhe ulje të tensioneve.
Demokratët akuzuan Trumpin se “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”./REL/