Mon, Jun 23, 2025

Ekzekutimi i Erjon Javorit, Prokuroria Fier çon për gjykim dy vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi – Pesë persona në total nën akuzë

  • PublishedJune 23, 2025

Ekzekutimi i Erjon Javorit, Prokuroria Fier çon për gjykim dy vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi – Pesë persona në total nën akuzë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen për vrasjen e Erjon Javorit, ngjarje e ndodhur më 7 dhjetor 2023 në lagjen “16 Prilli” të qytetit. Në qendër të akuzës janë dy vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi, të cilët dyshohet se ekzekutuan 41-vjeçarin me armë zjarri, ndërsa ndodhej brenda mjetit të tij.

Të dy akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Së bashku me ta, janë marrë të pandehur edhe tre shtetas të tjerë: R.P., për “Përkrahje të autorit të krimit”, A.L., për “Moskallëzim krimi”, E.Xh., për “Deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” .

Në përfundim të hetimeve të plota, rezultoi e provuar se, në datë 07.12.2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, Kreshnik dhe Agim Gashi kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga Erjon Javori i moshës 41 vjeç, i cili ndërroi jetë.

Njoftimi i Prokurorisë Fier

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.G. dhe A.G. të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpuim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/1 e 25, dhe 278/1 të Kodit Penal, si dhe shtetasin R.P. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal; shtetasin A.L. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe shtetasen E.Xh. e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” e parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të plota dhe dinamike, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive mbi procedimin penal nr.1727 të vitit 2023, rezultoi e provuar se, në datë 07.12.2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, të pandehurit K.G. e A.G., vëllezër, në bashkëpunim mes tyre, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga shtetasit E.J., i moshës 41 (dyzet e një) vjeç, i cili ndërroi jetë.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Si ndodhi krimi?

Elton Javori u ekzekutua më 7 Dhjetor 2023 në afërsi të banesës së tij, rreth dy javë pasi ishte kthyer nga Gjermania, shtet ku kishte emigruar. Krimi dyshohet se ndodhi për shkak të disa konflikteve që ai kishte padur me Agim Gashin.

Mes tyre kishte ndodhur një disa dite para vrasjes, konflikt gjate te cilit ka patur ofendime midis palëve.

Agim Gashi dhe i vëllai, Kreshniku, dyshohet se kanë pritur Erjon Javorin pranë banesës se tij dhe sapo viktima është nisur me automjetin tip “ Porche” e kanë ndjekur me automjetin tip “ Benz” duke i dalë paralel.

Dyshohet se në momentin kur viktima ka ulur xhamin e makinës është qëlluar me pistoletë teksa plumbi e ka goditur në qafë duke i shkaktuar plagë të rëndë.

Pasi autori ka qëlluar është larguar menjëherë pa ndaluar fare, ndërsa 41-vjecari i plagosur ka ecur disa metra me makinë.

Edhe pse është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, nuk ka mundur të mbijetojë.