Mon, Jun 23, 2025

I mungonin 14 muaj sigurime, “Tak Fak” i jep zgjidhje ish-punonjësit të burgjeve! Drejtori: Do marrë dhe paratë që nuk…

  • PublishedJune 23, 2025

I mungonin 14 muaj sigurime, “Tak Fak” i jep zgjidhje ish-punonjësit të burgjeve! Drejtori: Do marrë dhe paratë që nuk…

Emisioni ‘Tak Fak’ në News24 nuk e la në mes problemin e gardianit Edison Toska, që kërkon sigurimet shoqërore për disa vite që ka punuar.

‘Tak Fak’ i është drejtuar fillimisht Institucionit të Burgut të Rrogozhinës. Polici i shërbimit thotë se ka vënë në dijeni të gjithë eprorët për problemin. “Kam vënë në dijeni të gjithë eprorët për problemin”.

Polici i shërbimit: Kam vënë në dijeni të gjithë eprorët për problemin.

Gazetarja: Çfarë të thonë?

Polici i shërbimit: Tani të presim kur të vijnë ato.

Gazetarja e emisionit “Tak Fak” dhe gardiani Toska nuk u larguan nga vendi, pa folur me personat përgjegjës për problemin. Gazetarja foli me oficerin e rojes.

Oficeri i rojes: Urdhëro.

Gazetarja: Alo përshëndetje. Si jeni.

Oficeri i rojes: Mirë faleminderit, unë jam oficeri i rojes.

Gazetarja: Jam Anxhela, gazetare e emisionit “Tak fak” në News 24. Kam një orë që pres tek hyrja e burgut të Rrogozhinës. Nuk më del askush të më thotë një përgjigje, nuk dëgjojnë as përse kam ardhur.

Oficeri i rojes: Po kam njoftuar drejtorin. Nuk e di si janë procedurat. Do bësh kërkesën, do marrësh autorizim nga drejtoria, nuk e di…

Gazetarja: A duhet të dalë dikush e të më thotë që të bëj kërkesë?

Oficeri i rojes: Ndoshta ke të drejtë, por nuk di çfarë të them, pasi nuk i kërkoj dot llogari eprorit tim.

Gazetarja: Të lutem, njoftoji se unë nuk do iki pa dalë dikush të më japë një përgjigje. Do ndjek rregullat që ka institucioni.

Oficeri i rojes: Patjetër.

Pasi gazetarja bëri kërkesë në burgun e Rrogozhinës, u lejua që të hyjë brenda institucionit. Emisioni “Tak Fak” foli me drejtorin e ISSH Fier, Arjus Olldashi. Drejtori tregoi se ISSH Fier i kishte bërë kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe se këta të fundit kanë kthyer përgjigje pozitive për periudhën kur mungojnë sigurimet për Edison Toskën. Ai tha se Toska do marrë paratë që i takojnë.

Gazetarja: Drejtor, Edison Toskës, që ka qenë gardian burgu, i mungojnë 14 muaj sigurime që ka punuar nga dhjetori 2000. Çfarë masash keni marrë?

Drejtori i ISSH Arjus Olldashi: Z. Edison Toska ka aplikuar pension të parakohshëm. I është bërë caktimi i pensionit të parakohshëm në janar 2025 mbi bazën e dokumentacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kemi bërë kërkesë sërish, pasi vërtetimi nuk përfshinte periudhën që thatë ju. I jemi drejtuar Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë. Drejtoria e Burgjeve na ka dërguar formular të saktësuar, ku është përfshirë dhe periudha 2000-2002, që mungonte në vërtetimin e dërguar më parë. Edison Toska do marrë pension të parakohshëm mbi 18 mijë lekë në muaj. Kur të marrë pensionin e radhës do ketë reflektuar edhe diferencën që mungonte deri tani.

Gazetarja: Pra problemi u zgjidh. Po gjatë kësaj kohe është lajmëruar Edisoni? Edison dije gjë?

Edison Toska: Nuk dija gjë, tani po e marr vesh. Drejtor të falënderoj. Unë s’i kërkoj shtetit asnjë qindarkë që s’më takon.

Drejtori: Asgjë, e rëndësishme është që problemi u zgjidh.

Edison Toska: Edhe ju emisioni “Tak fak”, iu ndjek rregullisht e ju falënderoj shumë. Zoti iu dhëntë jetë e shëndet. Faleminderit Tak Fak.