Kosova ende pa Kuvend 4 muaj pas zgjedhjeve, dështon përpjekja e 36-të për konstituim
Ka dështuar sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shënuar herën e 36-të që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme katër muaj më parë.
Për të 27-ën herë radhazi, procesi është bllokuar në të njëjtën pikë: formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në seancën e së hënës ishin të pranishëm 99 deputetë. Nga këta, 53 votuan pro formimit të komisionit, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarët e tyre për këtë komision, duke e pamundësuar ngritjen e tij.
Arsyeja mbetet kandidatura e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme në votimin e hapur. Edhe pse fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, që ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, ka qëndruar fort pas Haxhiut, duke e cilësuar atë si zgjedhjen më të përshtatshme.
Por për opozitën, sidomos për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu shihet si një figurë përçarëse, ndaj kërkojnë që Kurti të tërheqë kandidaturën dhe të propozojë një emër tjetër.
Ndërkohë, çështja e votimit – nëse duhet të jetë i hapur apo i fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që dikur ishin në opozitë. Sipas tyre, propozimet e Vetëvendosjes bien ndesh me Kushtetutën, dhe kanë kërkuar nga Gjykata vendosjen e një “mase të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa kjo çështje të shqyrtohet me përparësi dhe të merret një vendim”.