Kreu i IAEA: Nuk dihet ku ndodhet uraniumi i pasuruar i Iranit – Kërkohet rikthimi urgjent i inspektorëve
Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së (IAEA), ka deklaruar se nuk është në gjendje të konfirmojë se ku ndodhet stoku i materialit bërthamor iranian të pasuruar pranë nivelit për armë bërthamore, duke kërkuar që inspektorëve t’u lejohet të kthehen në mënyrë të sigurt në Iran për të vlerësuar situatën.
Në një intervistë për CNN, Grossi u shpreh se Irani ka depozituar rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, një nivel që është vetëm pak më poshtë se 90%, pragu i nevojshëm për prodhimin e një arme bërthamore.
“Irani nuk e ka fshehur faktin se e ka mbrojtur këtë material,” tha Grossi për CNN.
Duke folur për Bordin e Guvernatorëve të agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Grossi theksoi se inspektorët duhet të kenë mundësi “të rikthehen në objektet bërthamore të Iranit dhe të verifikojnë stoqet e uraniumit, dhe mbi të gjitha, 400 kilogramët e pasuruar në nivelin 60%.”
Sipas Grossit, inspektorët e IAEA-s e kanë parë për herë të fundit këtë stok më 10 qershor, vetëm tre ditë para sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit, të cilat kishin në shënjestër kryesisht objektet bërthamore në Isfahan dhe Natanz.
Të dielën, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në sulme, duke goditur gjithashtu këto dy objekte si dhe impiantin e pasurimit në Fordow, i cili ndodhet thellë brenda një mali.
Në deklaratën e tij drejtuar Bordit të IAEA-s, Grossi tha se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e kishte njoftuar më 13 qershor, pak pas sulmit të parë izraelit, se Irani “do të ndërmarrë masa të veçanta për të mbrojtur pajisjet dhe materialet tona bërthamore.”
Grossi bëri të ditur se i kishte theksuar Araghchit se Irani duhet t’i raportojë IAEA-s çdo transferim të materialit bërthamor.
Ai gjithashtu bëri thirrje për ndalimin e luftimeve, në mënyrë që “Irani të mund të lejojë ekipet e IAEA-s të hyjnë në objektet përkatëse dhe të vlerësojnë situatën.”