Man.City “shpartallon” Al Ain, por në 1/8 rrezikon Real Madrid, Guardiola: E dimë çfarë duhet të bëjmë me Juven (VIDEO)
Me 6 pikë, po aq sa dhe Juve, Man.City “fluturon” në fazën e 1/8 në Botërorin e Klubeve, në sfidën e fundit përballen me “Zonjën e Vjetër” për të përcaktuar kreun e Grupit G. Gjithçka e lehtë për të besuarit e Pep Guardiola, me “qytetarët” që triumfuan 6-0 për Al Ain.
Tetë minuta lojë i mjaftuan për të kaluar në avantazh, me Gundogan që në përpjekje për të futur një top në zonë e dërgoi drejtpërdrejtë në rrjetë. Në të 27-tën, Claudio Echeverri, talenti argjentinas, me një ekzekutim perfekt nga goditja e dënimit dyfishoi shifrat. City nuk u mjaftuan me kaq, por në fundin e pjesës së parë, Haaland konvertoi në gol një penallti të fituar.
Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, me ndeshjen që u zhvillua me një drejtim. Në minutën e 73-të, Gundogan kompletoi “dopjetën” e tij personale dhe golin e katërt për Man.City. Anglezët nuk e ulën ritmin për asnjë momente, dhe në minutat e mbetura gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës, me Bobb dhe Cherki, duke sigluar shifrat përfundimtare në 6-0.
Pep Guardiola e pranoi se dëshironin të shënonin më shumë për të kapur vendin e parë në grup, në mënyrë që të shmangin Real Madrid në fazën e 1/8: “Shtymë deri në fund për të shënuar një tjetër gol, për të tentuar të kapnim vendin e parë, por nuk ia dolëm. E dimë se çfarë duhet të bëjmë tani kundër Juves për ta mbyllur në krye”, u shpreh Guardiola ndër të tjera.
()