Tue, Jun 24, 2025

Mashtruesi i çantave Hermes! 26-vjeçari u shtir si i pasur për të vjedhur nga miqtë dhe të afërmit

  • PublishedJune 23, 2025

Mashtruesi i çantave Hermes! 26-vjeçari u shtir si i pasur për të vjedhur nga miqtë dhe të afërmit

Një mashtrues është paraqitur si milioner për të bindur miq dhe të afërm të pasur që të investonin në “biznesin” e tij të çantave luksoze, duke përvetësuar mbi 420,000 paund.

Jack Watkin, 26 vjeç, akuzohet se i premtoi viktimave përfitime të mëdha nëse i jepnin hua para për të blerë dhe rishitur çanta të shtrenjta Hermes. Por, sipas Gjykatës së Kurorës në Chester, as çantat e premtuara dhe as përfitimet nuk ekzistuan ndonjëherë, në vend të kësaj, Watkin i shpenzoi paratë për të financuar një stil jetese luksoz dhe ekstravagant.

Kur viktimat nisën të kërkonin paratë e tyre, ai thuhet se fshihte takimet, sajonte justifikime, ose përpiqej t’u ofronte atyre sende të rreme si ora të falsifikuara apo çanta të dorës me vlerë më të ulët, në këmbim të borxhit.

Ai u kap kur dy gra që pretendonin se ishin mashtruar prej tij, e ftuan në një takim dhe, në momentin që ai mbërriti, policia ishte aty për ta arrestuar.

Watkin, me banim në Alderley Edge, Cheshire, u paraqit dje në gjykatë i akuzuar për shtatë raste mashtrimi dhe dy akuza vjedhjeje, që përfshijnë gjashtë viktima mes dhjetorit 2019 dhe gushtit 2024. Ai mohon të gjitha akuzat.

Prokurori Matthew Kerruish-Jones tha se çështja lidhet me markën prestigjioze franceze Hermès, e cila u shet çantat ekskluzive vetëm klientëve të zgjedhur dhe shpesh çmimet e tyre në tregun e dorës së dytë janë më të larta se sa të rejat.

Watkin, sipas akuzës, bindi një mik të familjes të investonte duke pretenduar se kishte “lidhje personale” me një drejtor të Hermès, që i siguronte akses të veçantë në produktet e tyre më të kërkuara.

Për të fituar besimin e viktimave, ai thuhet se ka ndërtuar një imazh të rremë milioneri në rrjetet sociale, duke treguar një mënyrë jetese luksoze dhe joshëse.

“Prokuroria pretendon se i pandehuri mashtroi disa individë me premtimin për të investuar në një biznes të ligjshëm për blerje dhe shitje çantash ekskluzive,” tha prokurori.

“Ai krijoi një fasadë të një jete glamuroze, që shërbeu për të fituar besimin e viktimave, të cilët i dhanë hua shuma të mëdha parash me shpresën për kthime të konsiderueshme ose produkte luksoze. Asgjë nga këto nuk ndodhi.”

“Në realitet, pasi merrte paratë, ai nuk i kthente kurrë, duke lënë viktimat me humbje të mëdha financiare. I pandehuri i shmangej përgjegjësisë, sajonte arsye dhe ndërkohë shpenzonte shuma marramendëse për të ruajtur imazhin e tij në publik.”

Sipas gjykatës, një prej viktimave, shoqja e tij e vjetër Hannah Jakes, humbi mbi 233,000 paund. Ndërkohë, biznesmenja Christine Colbert, pronare e një butiku dizajnerësh, humbi 78,000 paund.

Watkin akuzohet gjithashtu për vjedhjen e një çante Hermès blu, me vlerë 21,000 paund, dhe një çante Goyard me lëkurë aligatori, me vlerë 8,000 paund, nga dyqani i znj. Colbert në Dress Cheshire, Prestbury. Përveç të tjerash, ai akuzohet edhe për mashtrimin e babait të tij, Jason Watkin, një zhvillues pronash 55-vjeçar, të cilit i mori 30,000 paund.

Juria u informua se marrëdhënia me të atin u tensionua kur ky i fundit refuzoi t’i jepte hua 100,000 paund për “biznesin”. Watkin madje e akuzoi të atin për mungesë mbështetjeje gjatë vështirësive të pandemisë.