Drejtoi degën e Partisë Demokratike, Genc Deromemaj emërohet në krye të Kadastrës së Vlorës
Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike të Vlorës, Genc Deromemaj, është emëruar drejtues i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për qarkun e Vlorës.
Deromemaj drejtoi Degën e Partisë Demokratike në Vlorë nga viti 2018 deri në vitin 2022, kur dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga Atird Hoxha.
Më herët, në zgjedhjet lokale të vitit 2015, ai ishte kandidat i PD-së për Bashkinë e Vlorës, por humbi përballë kandidatit socialist Dritan Leli.
Deromemaj është cilësuar si një nga mbështetësit e parë të “Foltorës” së Sali Berishës, të nisur në shtator 2021 kundër lidershipit të Lulzim Bashës. Ai ishte gjithashtu ndër organizatorët kryesorë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, mbajtur më 11 dhjetor në stadiumin “Air Albania”.
Edukimi dhe Karriera e Genc Deromemajt:
Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë
Edukimi:
Në vitin 2007 Diplomë Inxhinier Hidroteknik në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik Tiranë;
Në vitin 2009 Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Kristal Tiranë;
Certifikata dhe licenca të ndryshme për veprimtari profesionale në fushën e ndërtimit.
Karriera profesionale:
2007 – 2021 sektor privat, Shoqëri Ndërtimi, Inxhinier Projektimi/Zbatimi, Administrator.
Karriera politike:
Nga viti 2002 aktivizuar në jetën politike si pjesë e Grupimit Studentor të PD-së në Fakultetin e Ndërtimit Tiranë si dhe mbështetës i fushatave elektorale të PDSH;
Në vitin 2015 Kandidat për Kryetar të Bashkisë Vlorë i Partisë Demokratike;
Nga viti 2015 deri më 2018 Anëtar i Kryesisë së PD Vlorë;
Nga viti 2018 deri më 2022 Kryetar i PD Vlorë;
Nga viti 2022 e në vazhdim Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Të tjera:
Lindur në 29 Mars 1984 në Vlorë, i martuar, me dy fëmijë.