Gjykata e Lartë vulos dënimin për vrasjen e Fatbardh Licit, rrëzohet rekursi i Bajrëve dhe Bilalit
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit për dënimin me burg të tyre. Tre të pandehurit akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, një ngjarje që tronditi qytetin e Shkodrës në gusht të vitit 2018.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se rekursi i tyre kundërshtonte vendimin e Apelit të GJKKO-së dhënë në mars të këtij viti, i cili i shpalli fajtorë dhe i dënoi me masa të rënda sigurie. Por instanca më e lartë gjyqësore vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim, duke mbyllur kështu rrugën ligjore të ankimimit.
Safet Bajri u arrestua më 17 shkurt, ndërsa ai, Astmer Bilali dhe Behar Bajri akuzohen për tre vepra penale të rënda: “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga hetimet është zbuluar se tre të pandehurit kanë planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen me armë zjarri të Fatbardh Licit më 10 gusht 2018 në Shkodër. Viktima ishte i afërm i Ibrahim Licit, një tjetër emër i njohur për drejtësinë.
Hetimet tregojnë se motivi i vrasjes dyshohet të ketë lidhje me një hakmarrje të mundshme, pasi Behar Bajri i atribuonte Ibrahim Licit vrasjen e një të njohuri të tij, shtetasit Boran Berçana.
KRIMET PËR TË CILAT AKUZOHESHIN BAJRAJT NË 2018
14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion me targë të Vlorës.
14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
28.01.2000 në fshatin Dobraç është vrarë me armë zjarri shtetasi Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Ndërsa Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Për ngjarjen Behar Bajri është deklaruar fajtor më 12 shtator të vitit 2005 për një krim të kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi (Bajri).
15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi A. Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri. 18.08.2006 Behar Bajri akuzohet për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
04.08. 2006 Ilir Bajri akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.