Tue, Jun 24, 2025

I dënuar për trafik droge në Itali, shqiptari kërkon të mos deportohet nga Britania: Djemtë e mi kanë ëndrra për t’u bërë futbollistë

  • PublishedJune 24, 2025

I dënuar për trafik droge në Itali, shqiptari kërkon të mos deportohet nga Britania: Djemtë e mi kanë ëndrra për t’u bërë futbollistë

Një shtetas shqiptar, i dënuar në Itali për trafik droge, ka kundërshtuar deportimin nga Mbretëria e Bashkuar me argumentin se largimi i tij do të rrezikonte të ardhmen sportive të dy djemve të tij, raportoi prestigjiozja The Telegraph.

Elis Lila, 40 vjeç, u dënua në Itali me 11 vite burg për përfshirje në një grup kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Ai u largua nga Italia në mënyrë të paligjshme, duke kaluar fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Britaninë e Madhe, ku jeton që nga viti 2016 së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët.

Në përpjekje për të shmangur ekstradimin, Lila paraqiti në gjykatë argumentin se kthimi i tij në Itali do të shkelte të drejtën për një jetë familjare, të garantuar nga neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).

Ai deklaroi se dy djemtë e tij janë pjesë e një klubi futbolli dhe kanë “shanse reale” për t’u bërë profesionistë, ndërsa djali i madh është pranë përfitimit të një burse nga një klub i Premier League. Sipas avokatëve të tij, mbështetja morale dhe prania e babait janë thelbësore për zhvillimin e tyre sportiv.

Megjithatë, gjykata britanike refuzoi pretendimet e tij, duke argumentuar se Lila ishte i vetëdijshëm për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale dhe për hetimet ndaj tij kur u largua nga Italia, prandaj nuk mund të pretendojë mbrojtje ligjore në këto rrethana.

Ai aktualisht përballet me deportimin në Itali për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, ndërsa ka paraqitur një apel në Gjykatën e Lartë britanike.