PSG “fluturon” në 1/8, “peshkon” Leo Messin, Enrique: Jemi të motivuar, synojmë të shkojmë sa më larg (VIDEO)
PSG “thyen” 2-0 Seattle Sounders dhe “fluturon” në fazën e 1/8 në Botërorin Klubeve. Me 6 pikë në 3 ndeshje, ekipi i Luis Enriques e mbyll Grupin B në krye dhe në fazën tjetër do të përballet me vendin e dytë nga Grupi A, me Inter Miamin e Leo Messit. Për ironi të fatit, “pleshti” peshkon në këtë fazë ish ekipin e tij, kjo pritet të jetë një përballje interesante pasi Messi u largua me mllef nga kryeqyteti francez. Gjithçka e lehtë për fituesit e Champions League që zgjidhën sfidën kundër Seattle me nga një gol për çdo pjesë.
Në minutën e 35-të, Vitinha me një goditje në kufijtë e zonës së rreptësisë gjeti Kvaratskhelia-n në zonë, me këtë të fundit që devijoi topin në mënyrë të pavullnetshme në portë duke i dhuruar avantazhin ekipit francez. PSG nuk e vendosi ndeshjen për asnjë moment në dyshim, por goli i qetësisë erdhi vetëm në minutën e 66-të, ku Hakimi brenda në zonë me një goditje të saktë dyfishoi shifrat. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me PSG që vijon rrugëtimin në Botërorin e Klubeve me stofin e një ekipi favorit.
Luis Enrique u shfaq i kënaqur me kualifikimin për në fazën e 1/8, por nuk dëshiron të ndalet këtu: “Jam i kënaqur, sigurisht. Nuk është e lehtë të lush këto lloj ndeshje, në këto fusha, ne jemi mësuar ndryshe në Evropë. Mendoj se ishim ekipi më i mirë në fushë dhe e meritonim të fitonim. Ne planifikojmë të shkojmë sa më larg të jetë e mundur dhe besoj se edhe lojtarët janë gati. Konkurrenca e vërtetë fillon tani dhe do të jetë e vështirë, por ne jemi të motivuar”, u shpreh trajneri i PSG.
()