Wed, Jun 25, 2025

Braçe akuzoi për pavlefshmërinë e votës me simbole, reagon KAS: Nëse PS kërkon zyrtarisht, do të marrim vendim

  • PublishedJune 25, 2025

Braçe akuzoi për pavlefshmërinë e votës me simbole, reagon KAS: Nëse PS kërkon zyrtarisht, do të marrim vendim

Pas denoncimit të deputetit Erion Braçe për shpalljen si të pavlefshme të një vote me simbolin e fallusit në fletën e votimit të 11 majit, ka ardhur reagimi nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS). Anëtari i KAS, Ledio Braho, nga pallati i sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po vijon procesi i rinumërimit, u shpreh se vendimmarrja do të bëhet nëse Partia Socialiste paraqet një kërkesë zyrtare për vlefshmërinë e votave me këtë simbol.

“PS, siç bëri edhe disa ditë më parë, mund t’i drejtohet KAS dhe të kërkojë që çdo votë me organ mashkullor gjenital të shpallet e vlefshme dhe ne do shprehemi me vendim, siç u shprehëm në rastin e parë,” deklaroi Braho.

Ai theksoi se çdo votë shqyrtohet individualisht dhe jo në mënyrë të përgjithshme, duke mohuar çdo insinuatë për parregullsi masive.

Në vijim, Braho hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës për trafikim votash, duke theksuar se nuk është konstatuar një përmasë e tillë në proces.

“Duhet të kemi parasysh se kur nisi ky proces, nisi me ankim për trafikim votash. Duket qartë që nuk kemi arritur në shifra të tilla. Jemi në shifra të ulëta. Bëhet fjalë sot vetëm për bishta kryqesh – është kryqi brenda apo jashtë kutisë. Ka interpretime votash individuale dhe jo trafikime votash masive,” tha ai.

Sipas Brahos, në disa raste janë konstatuar gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave në sistem:

“Momentin e hedhjes në sistem, ngatërrohet një rresht me një tjetër dhe bëhet një invers. Kjo, për mua, në rastin më të mirë është gabim njerëzor. Por duhet parë rast pas rasti,” përfundoi ai.

Lexoni edhe: Rinumërimi/“Topi i Mato Grudës” e pavlefshme? Erion Braçe reagon pas vendimit të KAS: Pse zemra vlen dhe kjo jo?! – Gazeta Shqiptare Online