Thu, Jun 26, 2025

Iu shpronësua prona por nuk iu dhanë paratë, “Tak Fak” i drejtohet Bashkisë Tiranë për rastin e avokatit Myrteza Myftari! Ja përgjigja tyre

  • PublishedJune 25, 2025

Iu shpronësua prona por nuk iu dhanë paratë, “Tak Fak” i drejtohet Bashkisë Tiranë për rastin e avokatit Myrteza Myftari! Ja përgjigja tyre

Pasi avokati Myrteza Myftari u ankua në emisionin “Tak Fak” në News 24 se Bashkia Tiranë i ka marrë pronën në kryeqytet duke e shpronësuar, por duke mos ia dhënë paratë, emisioni Tak Fak ka pyetur një topograf, për të përcaktuar kufijtë e pronës së avokatit.

“Z Myrteza Myftari ka një pronë këtu prej 805 metër katror truall, të regjistruar në ASHK, në Drejtorinë Vendore Tiranë Veri dhe të cilën e ka zënë rruga e trotuari. Toka ka qenë me vendim Komisioni, është zgjeruar Unaza këtu dhe prona është zënë me lulishte dhe me rrugë. Prona është e pajisur me certifikatën e pronësisë, hartë treguese dhe njollën e pronës se ku ndodhet”, tha topografi.

Fatmir Braçe, topograf: Z Myrteza Myftari ka një pronë këtu prej 805 metër katror truall, të regjistruar në ASHK, në Drejtorinë Vendore Tiranë Veri dhe të cilën e ka zënë rruga e trotuari. Toka ka qenë me vendim Komisioni, është zgjeruar Unaza këtu dhe prona është zënë me lulishte dhe me rrugë. Prona është e pajisur me certifikatën e pronësisë, hartë treguese dhe njollën e pronës se ku ndodhet. Myrteza Myftarit i është zënë prona dhe duhet të kompensohet nga Bashkia me çmimin e VKM-së sipas referencës së zonës. Kështu rezulton nga dokumenti i hedhur në sistem nga hipoteka, është azhornim i fundit.

Avokati Myrteza Myftari thotë se i ka kthyer përgjigje Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Myftari u shpreh se Kadastra i ka kthyer përgjigje se prona që ka blerë është aty ku ka qenë gjithmonë. “Ata që merren me këto punë kanë vijuar të bëjnë veprime të papërgjegjshme”, shtoi avokati.

‘Tak Fak’ në fund iu drejtua Bashkisë së Tiranës për këtë problem.

Gazetarja Anxhela Gjiriti: Përshëndetje, e njihni këtë zotërinë, e dini se çfarë problemi ka?

Zyrtari i Bashkisë së Tiranës: Zotëria është i informuar, nuk mund të jap informacion më shumë. Është pritur disa herë, është sqaruar. Besoj se e ka letrën zyrtare.

Gazetarja Anxhela Gjiriti: Pse nuk e ka pasur deri tani?

Zyrtari i Bashkisë Tiranë: Nuk varet nga unë.

Gazetarja: Po nga kush?

Zyrtari i Bashkisë Tiranë: Zotëria do e marrë përgjigjen me firmë dhe me vulë.

Gazetarja: Pse nuk e ka marrë deri tani?

Zyrtari i Bashkisë Tiranë: Nuk besoj se nuk e ka marrë.

Avokati Myrteza Myftari: Jo s’kam marrë asnjë përgjigje. Me zotërinë kam komunikuar dhe njerëzisht më ka pritur mirë. Tabelën në pronën time e ka vënë ky institucion. Tabelë shtetërore në pronë private nuk mund të vendoset.

Zyrtari i Bashkisë Tiranë: Me vendim të Këshillit të Ministrave, prona është shtetërore.

Drejtori tha se është në pritje të një përgjigjeje, por se kur do vijë përgjigja, mbetet për t’u pritur.

Avokarti Myrteza Myftari bëri dhe një kërkesë për të ditur se ku kanë shkuar paratë për shpronësimin e pronës.