“Putin më kërkoi të ndërmjetësonte për Iranin”, Trump përmend Kosovën dhe Serbinë në Samitin e NATO-s: Kemi ndihmuar në uljen e tensioneve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar gjatë një konference për shtyp në përfundim të Samitit të NATO-s në Hagë, se Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol aktiv në uljen e tensioneve në disa konflikte ndërkombëtare, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë.
Trump bëri të ditur se së fundmi ka marrë një telefonatë nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili i kishte ofruar ndihmë për të ndërmjetësuar në krizën mes SHBA-së dhe Iranit. Por sipas Trump, ai e refuzoi këtë ofertë, duke i kërkuar në vend të saj që Moska të ndihmojë në ndaljen e luftës në Ukrainë.
“Ai më telefonoi para disa ditësh dhe më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin?’ Unë i thashë: ‘Jo, mund të më ndihmosh me Rusinë.’ Di një gjë – ai do të donte ta mbyllte këtë çështje. Për të është një rrëmujë e madhe,” tha Trump.
Duke folur për angazhimet e fundit të administratës së tij në politikën e jashtme, presidenti amerikan përmendi disa raste ku SHBA ka kontribuar në uljen e tensioneve: “E zgjidhëm Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Të premten kemi Kongon dhe Ruandën – ajo ishte një luftë e egër.”
Trump u shpreh se asnjë administratë më parë nuk ka ndërmarrë përpjekje kaq të gjera dhe intensive për paqen globale, duke nënvizuar rolin udhëheqës të SHBA-së në arenën ndërkombëtare.